Audituesit e KLSH-së vizitojnë ekspozitën “Ata që rrezikuan jetën e tyre-polakët që shpëtuan hebrenjtë gjatë holokaustit"

29.09.2015

 

Në datën 28 shtator 2015, në  ambientet e Muzeun Historik Kombëtar, Ambasada e Republikës së Polonisë në Tiranë çeli ekspozitën me temë, “Ata që rrezikuan jetën e tyre – Polakët që shpëtuan hebrenjtë gjatë Holokaustit”.

ekspozita

Aktiviteti ishte një homazh ndaj gjithë atyre që rrezikuan jetën e tyre në mbrojtje të hebrenjve. Në hapje të ekspozitës morën pjesë deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, Ambasadorë, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, artistë, etj.

Ekspozitën e vizitoi edhe një grup i zgjeruar audituesish të KLSH-së, së bashku me   Kryetarin, z.Bujar Leskaj. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka forcuar ndjeshëm marrëdhëniet me Institucionin Suprem të Auditimit (SAI) të Polonisë në këto tre vitet e fundit dhe dhjetëra auditues të KLSH-së kanë vizituar dhe janë trajnuar pranë SAI-t polak.

Gjithashtu, audituesit e KLSH-së, në respekt të këtij bashkëpunimi konkret dhe respektit ndaj kolegëve polakë kanë përkthyer në gjuhën shqipe librin  “100 Simbolet polake”, në të cilin evokohen 100 vendet, njerëzit dhe arritjet e rëndësishme për Poloninë. Libri do të botohet menjëherë pasi të merret e drejta e autorit nga botuesi polak.
 
Ekspozita përfshin histori dhe portrete konkrete nga lufta e dytë botërore, të vendosura në kontekstin historik dhe  rrethanor dhe është bazuar në një koleksion unik të dëshmive të atyre që gëzojnë titullin “Fisnikë mes Kombesh”, po aq sa dhe nga të mbijetuarit e Holokaustit.

    ekspozita 2

Ata që u ekzekutuan gjatë kohës që mbronin hebrenjtë, nuk e mbajnë titullin “Fisnikët”. Ata u vranë pothuajse me hebrenjtë që ata ushqyen, dhe që këtej pa dëshmitë e hebrenjve të shpëtuar, nuk mund të provohej gjë. Shpëtimi i hebrenjve gjatë kohës së Luftës ishte një mision vërtet shumë i vështirë, pasi rreth 85% e hebrenjve të Polonisë, nuk e flisnin gjuhën polake dhe në shumë raste, hebrenjtë dalloheshin nga pamja e tyre.

Gjatë ceremonisë përshëndeti dhe zv/Ministri i Kulturës, z. Zef Çuni, Prof. Dr. Gjergj Sinani, si dhe kritiku Ben Andoni.