Auditues të KLSH-së marrin pjesë në seminarin “Tregu i përbashkët Europian i energjisë elektrike”.

Në datat 09-10 Qershor 2015, në Vihula Manor - Estoni, u zhvillua një seminar me temë “Tregu i përbashkët Europian i energjisë elektrike”. Në këtë seminar, merrnin pjesë përfaqësues të Institucioneve të Larta Audituese të vendeve Europiane si: Estonia, Republika Çeke, Danimarka, Finlanda, Franca, Letonia, Lituania, Moldavia dhe Polonia.
Institucioni i Kontrollit të Lartë të Shtetit, u përfaqësua nga z.Altin Tafilaj dhe z.Fatos Shehu, auditues pranë Departamentit të Auditimit të Investimeve dhe Projekteve me Financime të Huaja, Shoqërive Publike dhe Mbrojtjes së Mjedisit.
Ishin prezent gjithashtu përfaqësuesi i Këshillit Ndërkombëtar të Energjisë z.Einari Kisel dhe Menaxheria e Vendeve Baltike për Energjinë znj.Ingrid Arus.

Seminari dy ditor, u fokusua në këto drejtime:

1. Avantazhet e Tregut të Përbashkët Europian të Energjisë Elektrike dhe Sfidat.
Nga Dr.Timo Partanen me detyrë Drejtor pranë Autoritetit Energjitik të Finlandës, u prezantua sistemi i energjisë elektrike dhe funksionimi i tij në Estoni por dhe në Europë. Integrimi i Estonisë në tregun e përbashkët Europian duke krahasuar avantazhet e këtij integrimi me sistemin e mëparshëm të izoluar dhe të mbyllur të tregut të energjisë elektrike nën ombrellën e energjisë së sigurt. Tregjet Ndërkombëtare të Energjisë elektrike kanë lindur si rrjedhojë e nevojës për energji të vendeve të ndryshme. Duke mos patur mundësinë ekonomike apo teknike për të mbushur boshllëqet me burimet e brendëshme, u gjet më ekonomike që këto nevoja të plotësohen nga vendet fqinje. Këto shkëmbime filluan të zhvillohen dhe të organizohen. Një perkrahje e madhe në këtë drejtim është dhënë nga Këshilli Europian. Me zhvillimin dhe organizimin e shkëmbimeve ndërkombëtare të energjisë, u krijuan dhe kornizat e para ligjore rregullatore të këtij sistemi.
Një nga çështjet që lindi në diskutim si në çdo fushë të ekonomisë ishte se a duhet që këto tregje të jenë të mbikqyrura nga organizata kombëtare ose ndërkombëtare (publike) apo të jenë plotësisht të pavarura në dinamikën e ekonomisë së tregut ? Organet Mbikqyrëse Kombëtarë (vendeve përkatëse) të sistemeve dhe tregjeve të energjisë janë institucionet që përcaktojnë rregullat dhe standardet se si duhet të funksionojnë këto tregje. Një rol të rëndësishëm në bashkpunimin dhe shkëmbimin e eksperiencave midis Institucioneve Rregullatore të vendeve të ndryshme (anëtarë të EU) luan dhe Këshilli Europian i Institucioneve Rregullatore të Energjisë (CEER).

Tregu Europian i Energjisë Elektrike ka gjetur zhivillim në vendet e Europës Veriore dhe Perëndimore. Me rritjen dhe zhvillimin e këtij tregu , komponentët e tij janë integruar dhe unifikuar progresivisht. Ky zhvillim i tregut ka kërkuar dhe rritje të kapaciteteve dhe mirëmbajtjeve të linjave të intekonjeksionit si pasojë e përdorimit të tyre. Modeli i këtij tregu është përkrahur fort nga instancat europiane si një mundësi e përdorimit në mënyrë sa më optimale dhe të koordinuar të burimeve natyrore të vendeve të caktuara. Nje treg i konsoliduar ka nevojë për infrastrukturë të përshtatshme, të integruar dhe të qëndrueshme. Për këtë qëllim Komisioni Europian ka përgatitur rreth 248 Projekte të Interesit të Përbashkët. Gjatë vitit 2014 janë investuar rreth 647 milion euro për këto projekte, ndërsa për vitin 2015 parashikohet që të realizohen rreth 650 milion euro investime.

2. Funksionimi i Tregut të Përbashkët Europian i Energjisë Elektrike.
Nga znj.Taavi Veskimagi, me detyrë Kryetare Bordi pranë Operatorit të Sistemit të Transmetimit Elering, Estoni, u prezantua funksionimi i tregut të përbashkët Europian të energjisë elektrike. Roli i operatorit të sistemit të transmetimit të energjisë elektrike. Interkonjeksionet midis shteteve Europiane. Mjaftueshmëria e kapaciteteve të prodhimit të energjisë elektrike. Menaxhimi i transmetimit të energjisë elektrike në varësi të konsumit. U theksuan përparësitë e tregut të përbashkët Europian, sistemit rregullator të tij dhe përfitimet nga ky treg. U cilësua me rëndësi të veçantë fakti që energjia elektrike nuk mund të jetë vetëm e një shteti pra të prodhohet dhe konsumohet aty. Realiteti kërkon që kjo energji e prodhuar, të transmetohet, akumulohet, shitet dhe blihet në varësi të nevojave të çdo shteti referuar konsumit vjetor dhe e vetmja rrugë për të shfrytëzuar sa më mirë prodhimin dhe menaxhuar konsumin, është bashkëpunimi i vendeve Europiane në tregun e energjisë elektrike.

Zhvillimi i një tregu të përbashket kërkon dhe një kontekst rregullash për funksionimin e tij. Këto rregulla lindin automatikisht me vetë sistemin dhe bëjnë të mundur funksionimin normal të tij. Rol të rëndësishëm në funksionimin e tregut kanë kapacitetet teknike dhe fizike të tregut. Qëllimi strategjik i vendeve Balltike është krijimi i një tregu të përbashkët të energjisë dhe sinkronizimi i këtij tregu rajonal me pjesën tjetër të Europës.

Disa nga parakushtet për të patur një treg Balltik të integruar janë:
-Hapje e tregut të energjisë.
-Ndërtimi i linjave të interkonjeksionit.
-Zhvillimi i tregjeve financiare.
-Krijimi i gjendjeve jo-monopole në Operatorët e Sistemeve të Transmetimit Rajonal
-Rezerva të përbashkëta dhe mundësia e balancimit të tregjeve.
-Ngritja e kapaciteteve për kalkulimet e sakta të shkëmbimeve të energjisë.
Liberalizimi i tregut energjetik në Estoni, histori suksesi.
Tregu Estonez momentalisht ka rreth 713 000 konsumatorë fundor, 40 tregtarë të energjisë (10 prej të cilëve kombëtarë). Hapja e tregut ka bërë të mundur realizimin e çmimeve konkurruese për konsumatorin fundor. Shtetet Balltike teknikisht janë shumë të lidhura me tregun Rus të energjisë elektrike dhe më pak me tregun Europian. Estonia ka ngritur të gjitha kapacitetet teknike për të importuar sasinë e nevojshme të energjisë elektrike. Për tu përmendur janë dy linjat e interkonjeksionit Estlink2, 650 MW dhe Estlink 350 MW që lidhin Estoninë me Finlandën.
Një nga objektivat strategjik të tregut të energjisë në rajonin Balltik është forcimi dhe ngritja e kapaciteteve të reja me përëndimin.

3. Energy Trilemma.
Nga z.Einari Kisel me detyrë Menaxher i rajonit të Europës për energjinë dhe pjestar i Këshillit Ndërkombëtar të Energjisë, u prezantua mënyra tre dimensionale e energjisë elektrike (Energy Trilemma).
Tre dimensionet e energjisë elektrike të cilat u prezantuan janë:
a) Sigurimi i energjisë, i cili ka si qëllim garantimin e energjisë elektrike gjatë gjithë kohës dhe në sasinë e nevojshme për rajonin. Ka të bëjë me kapacitetet prodhuese të secilit shtet dhe të Europës në total për të garantuar furnizimin me energji elektrike për të gjithë rajonin.
b) Kostoja e energjisë elektrike, e cila nëse do të menaxhohej drejt pra nëse shtetet Europiane do të bashkëpunonin përsa i përket prodhimit, transmetimit dhe shpërndarjes së energjisë elektrike, atëhere edhe kostoja e energjisë elektrike do të mund të ishte më e ulët pasi do të shmangeshin humbjet dhe do të administroheshin më mirë rezervat energjetike.
c) Impakti ndaj mjedisit. Disa vende kanë mundesinë për shkak të pozicionit të tyre gjeografik të favorizohen duke shfrytëzuar erën, ujin dhe diellin për prodhimin e energjisë elektrike, duke mos e ndotur mjedisin. Duhet pasur parasysh se prodhimi i energjisë elektrike nga vendet e tjera të cilat përdorin lëndë djegëse si qymyr ose dhe karburant, ka gjithmonë mbetje industriale dhe për pasojë ndotin mjedisin. Kjo ndotje, nuk duhet menduar asnjëherë lokale, pra sikur krijohet dhe qëndron aty. Kjo ndotje përhapet në të gjithë rajonin me kalimin e kohës duke ndikuar negativisht në të gjithë impaktin mjedisor kombëtar por dhe ndërkombëtar.
Tre dimensionet e energjisë, tregojnë qartë se bashkëpunimi në rajon për të patur nje treg të përbashkët Europian, ka përparësi të shumta si nga kapacitetet prodhuese të cilat menaxhohen më lehtë ashtu dhe për uljen e kostos. Pwrsa i takon impaktit ndaj mjedisit, nëse energjia elektrike do të prodhohej në pjesën më të madhe të kohës nga ato vende të cilat shfrytëzojnë burimet natyrore, atëherë jo vetwm qw ndotja në rajon do të ishte në nivele shumë të ulta por dhe kostoja do tw pwsonte rwnie drastike.

4. Statusi i hapjes së tregut të energjisë.
Nga znj.Ingrid Arus, me detyrë Menaxhere Rajonale e Tregut Balltik të energjisë, u prezantua Nord Pool Spot e cila është një platformë tregu e enegjisë elektrike që operon në 9 shtete. Rreth 380 kompani nga 20 vende të ndryshme tregtojnë në këtë treg. Në vitin 2014 ky grup qarkulloi rreth 501 TW. Nord Pool Spot zotërohet nga Operatorët e Sistemeve të Transmetimit Norvegjeze dhe Shteteve Balltike.
Komponentët e tregut Norvegjez dhe atij Balltik janë pothuajse identikë:
-Tregu Financiar (Nasdaq OMX). Qëllimi kryesor i këtij tregu është të menaxhojë riskun.
-Tregu i Ditës në Advancë (Nord Pool Spot). Ankandet e energjisë zhvillohen një ditë më parë dhe sasia e tregtuar likujdohet ditën tjetër.
-Tregu Ditor (Nord Pool Spot). Ankandet zhvillohen në të njëjtën ditë me proçesin e shpërndarjes së energjisë.
-Balancimi i tregut ( Operatorët e Sistemit të Transmetimit) . Ky treg operohet nga OST-të e vendeve përkatëse. Bazuar në marrëveshjet bilaterale, tregtimi bëhet në bazë të çmimit më të ulët.
Bashkimi i tregjeve është implementuar nga Nord Pool Spot rreth 20 vjet më parë. Ky bashkim ka bërë të mundur të rritet efiçenca e transmetimit të linjave të interkonjeksionit dhe e bashkëpunimit ndërmjet OST-ve dhe Enteve Rregullatore të vendeve përkatëse.

5. Mbrojtja e Konsumatorëve.
Nga zj. Kristiina Visnapuu , Audituese pranë SAI të Estonisë, u prezantua tema: Mbrojtja e konsumatorëve në tregun e Përbashkët Europian të Energjisë
Në grupin e konsumatorëve që duan mbrotje përfshihen, të moshuarit, personat me kufizime fizike, fëmijët, personat me probleme ekonomike etj.
Institucionet përkatëse kanë nxjerrë direktiva të caktuara për të mbrojtur konsumatorët fundorë.
Konsumatorët fundorë kanë të drejtë:
-Të kenë energjin elektrike.
-Të zgjedhin furnizuesin.
-Të kenë një kontratë të qartë dhe favorizuese.
-Të faturohen të saktë etj.
Në mbrojtje të konsumatorëvë të energjisë janë ngritur organizata të ndryshme si dhe mbahet një event vjetor për të eksploruar pikëpamjet dhe rolin e konsumatorëve mbi çeshtjet dhe problemet e energjise.

6. Eksperienca e Estonisë ne liberalizimin e tregjeve të energjisë elektrike dhe roli i Autoritetit Kombëtar Rregullator.
Znj.Marlin Tilkson, me detyrë supervizore pranë Autoritetit të Konkurrencës së Estonisë, prezantoi Autoritetin Kombëtar të Konkurrencës së Estonisë i cili është krijuar nga bashkimi i institucioneve në vitin 2008. Autoriteti i Konkurrencës përbëhet nga: Autoritetit Rregullator i Energjisë , pjesë të Autoritetit Rregullator të Postës dhe Telekomit dhe  Rregullatorit të transportit hekurudhor.
Në vitin 2015, Autoriteti i Konkurrencës së Estonisë do të transferohet pranë Ministrisë së Drejtësisë.
Roli i këtij institucioni në tregun e hapur të energjisë është të mbikqyrë tregun me shumicë dhe pakicë, të rregullojë çmimet e rrjetit dhe lidhjeve të linjave të transmetimit, monitorimin e shërbimit, të zgjidh mosmarrëveshjet midis aktorëve të tregut si dhe të kryejë licencimin.
Autoriteti Kombëtar i Konkurrencës ka luajtur një rol të rëndësishëm në mbështetjen që i ka dhënë Ministrisë së Çështjeve Ekonomike dhe Komunikimit në liberalizimin e tregut të energjisë elektrike. Fushata të gjera publicitare, informimi, seminare dhe konferenca janë mbajtur në kuadër të promovimit të liberalizimit të tregut.
Liberalizimi i tregut në Estoni ka ndjekur një proces gradual. Në vitin 2009 niveli i liberalizimit ka qenë 12%. Në 01.04.2014 rreth 35% e tregut ka qenë i hapur, ndërsa nga viti 2013 tregu u liberalizua 100%. Përpara datës 01.01.2013, vetëm një pjesë e vogël kanë pasur mundësinë të zgjedhin furnizuesin e energjisë. Operatori i Shpërndarjes ka qenë gjithashtu dhe shitësi i energjisë. Çmimet e energjisë kanë qenë të rregulluara nga Autoriteti Rregullator. Mbas datës 01.01.2013, të gjithë ndryshimet lidhur me hapjen e tregut që ndikojnë drejperdrejtë tek konsumatorët janë përcaktuar nga Akti i Tregut të Energjisë. Akti përfundoi shitjen e energjisë me çmim të rregulluar në datën 01.01.2013, dhe krijoi të gjitha kushtet për hyrjen e tregtarëve të rinj. Një pjesë e mirë e konsumatorëve, sipas nevojave dhe mundësive  kanë të drejtë ta blejnë energjinë në mënyra dhe nga shitës të ndryshëm.
Disa fakte nga tregu i energjisë elektrike:
-Rreth 90% e energjisë tregtohet në treg të lirë.
-5% e konsumatorëve të vegjël ndryshuan furnizuesin gjatë vitit 2014.
-18% e konsumatorëve të mëdhenj ndryshuan furnizuesin gjatë vitit 2014.
-Çmimet e energjisë për konsumatorët fundor kanë rënë në mënyrë të ndjeshme që nga hapja e tregut.
-Est-Link2 operon që nga Janari i vitit 2014.

7. Mbi Tregun e Energjisë Elektrike në Shqipëri, nga Altin Tafilaj me detyrë Auditues pranë Departamentit të Auditimit të Investimeve dhe Projekteve me Financime të Huaja, Shoqërive Publike dhe Mbrojtjes së Mjedisit, Kontrolli i Lartë i Shtetit Shqiptar.
Pasi falënderuam për ftesën Institucionin Suprem të Auditimit të Estonisë, prezantuam funksionimin e tregut të energjisë elektrike në Shqipëri.
Shqipëria që prej vitit 1957, ka pasur një operator të vetëm publik i cili prodhonte, transmetonte dhe shpërndante energjinë elektrike. Tregu i energjisë elektrike nuk ka qenë i hapur në Shqipëri deri në vitin 2011 kur në ligj u saktësuan kushtet për të krijuar bazën për fillimin e një tregu të lirë të energjisë elektrike. Aktualisht, në Shqipëri, tregu i energjisë elektrike përsa i përket prodhimit, është i hapur dhe të gjithë investitorët që licencohen mund të prodhojnë energji elektrike. Energjia elektrike në Shqipëri prodhohet nga operatorët privatë dhe operatori publik KESH sh.a ku shteti ka 100% të aksioneve.
Përsa i përket transmetimit të energjisë elektrike, në Shqipëri, aktualisht është vetëm një operator dhe ai është OST(operatori i transmetimit të energjisë elektrike). Tregu në këtë drejtim nuk është i hapur.
Përsa i përket shpërndarjes, edhe ky treg nuk është i hapur pasi shpërndarjen e energjisë elektrike e kryen operatori publik i shpërndarjes OSHEE.
Përsa i përket konsumit të energjisë elektrike, ka një lloj tregu të lirë i cili lejon të gjithë konsumatorët që në legjislacionin Shqiptar quhen “Klientë të Kualifikuar” të cilët konsumojnë mbi 100GW/h. Këta konsumatorë mund ta blejnë energjinë elektrike nga çdo prodhues duke lidhur një kontratë midis tyre e cila në çdo rast rregullohet nga ERE (Enti Rregullator i Energjisë).

Megjithëse në Shqipëri nuk ekziston një treg i hapur për klientët tariforë fundorë, Modeli Shqiptar i Tregut të Energjisë Elektrike është pjesë e reformave të ndërmarra në bashkpunim me direktivat e Bashkimit Europian. Një nga synimet kryesore të këtij modeli është të krijojë kushtet e nevojshme që të kemi një konkurrencë të konsiderueshme në tregun e shitjes me shumicë. Vëmendje i është kushtuar Operatorit të Sistemit të Transmetimit në krijimin e një Operatori të pavarur dhe për të rritur transparencën në operimin dhe funksionimin e tregut.
Institucioni përgjegjës për mbarëvajtjen e tregut dhe sistemit elektroenergjitik është Enti Rregullator i Sektorit të Energjisë Elektrike (ERE). Ky model i tregut reflekton situatën monopol në të tashmen dhe të ardhmen e afërt të KESH-it, OST-së dhe OSHEE-së.
Secili vend pjesëmarrës në seminar, diskutoi për tregun e energjisë dhe funksionimin e tij.

8. Diskutime dhe shkëmbime eksperiencash.
Pjesëmarrësit në seminar, u ndanë në dy grupe ku tek secili grup u diskutuan tema rreth tregut të energjisë elektrike.
Nga diskutimet, doli si konkluzion se është e nevojshme që të ketë një auditim paralel të paktën me shtetet të cilat aktualisht kanë dhe auditojnë tregun e energjisë elektrike. Momentalisht Institucioni Suprem i Auditimit të Shtetit Francez, është duke përfunduar një auditim mbi tregun e energjisë elektrike në Francë. Nga Shtetet pjesëmarrëse në trajnim por dhe nga Shteti Shqiptar u kërkua që ti vihet në dispozicion raporti i këtij auditimi i cili përfundon këtë periudhë. Pjesëmarrësit ranë dakort për shkëmbimin e eksperiencave me e-mail deri në seminarin e ardhshëm i cili do të mbahet pas dy vitesh. Problematikat kryesore të diskutimeve asistuan në liberalizimin e tregut të Transmetimit të Energjisë Elektike si një nga çështjet kryesore për të liberalizuar në total të gjithë tregun dhe uljen e çmimit të energjisë.

9.Ekskursion në Nënstacionin Est-Link2.
Est-Link2 ka filluar punë në Janar të 2014. Është nënstacioni i dytë i rrymës së vazhduar për nga madhësia midis Estonisë dhe Finlandës. Arsyeja kryesore e ndërtimit të Est-Link2 është rritja e kapaciteteve të transmetimit midis vendeve Nordike, Estonisë dhe vendeve të tjera Balltike për qëllim të integrimit të mëtejshëm të tregut të energjisë në rajon. Ky nënstacion është pjesë e një sistemi transmetimi prej 9 nyjesh.