Auditues të KLSH pjesë e programit ndërkombëtar të fellowship-it të organizuar nga Zyra e Auditimit të Qeverisë së SHBA

26.07.2018

Në përmbushje të qëllimit të dytë të Strategjisë së Zhvillimit 2018-2022  “Optimizmi  i kapaciteteve profesionale, aftësive audituese, procedurave të punës, logjistikës dhe funksioneve të tjera mbështetëse”, i cili synon të sigurojë që stafi  auditues të zotërojë aftësitë dhe dijet e krijuara për të realizuar me profesionalizëm çdo aspekt që mund të përballet gjatë punës audituese, në datat 21 mars -12 korrik 2018, Audituesi i Lartë, z. Alfinc Gabili dhe Audituese e I-rë, znj. Alma Shehu morën pjesë në programin ndërkombëtar të fellowship-it të organizuar nga Zyra e Auditimit të Qeverisë së SHBA (GAO).

gao alma gabili 1

Programi vjetor i fellowship-it (International Auditor Fellowship Program –IAFP) i ofruar nga GAO është një kurs studimi intensiv 4-mujor me 640 orë trajnimi, seminare dhe e-learning,  i hartuar për t'ju ardhur në ndihmë institucioneve supreme të auditimit për të rritur kapacitetet e tyre profesionale dhe  forcuar aftësinë e SAI-ve për të përmbushur misionet e tyre në rritjen e  llogaridhënies dhe transparencës në qeverisje në mbarë botën.
GAO e ka iniciuar këtë program në vitin 1979 dhe në programet e përvitshme kanë marrë pjesë  590  zyrtarë të nivelit të mesëm dhe të lartë nga SAI-të të më shumë se  100 vende kanë përfunduar programin.

Pjesëmarrësit në programin e fellowship-it të vitit 2018 u përfshinë në një program trajnimi 4-mujor gjithëpërfshirës i cili kishte në fokus temat e mëposhtme:

•Planifikimi strategjik;
•Protokollet e GAO-s me Kongresin dhe agjencitë federale;
•Vlerat bazë dhe kultura institucionale e GAO-s;
•Standardet e Auditimit të Qeverisë;
•Zhvillimi i politikave të auditimit;
•Logjika e planifikimit të auditimit;
•Menaxhimin e procesit të auditimit;
•Matja e performancës së GAO-s
•Programet me risk të lartë;
•Auditimi dhe investigimi i rasteve të mashtrimit, keqpërdorimit dhe abuzimit me fondet publike;
•Vlerësimi i programeve qeveritare;
•Manuali i auditimit financiar;
•Auditimi i pasqyrave financiare;
•Auditimi i mekanizmave të kontrollit të brendshëm; 
•Sigurimi i Cilësisë dhe rishikimi i raporteve të auditimit;
•Standardet e etikës;
•Ngritja e kapaciteteve institucionale dhe profesionale të audituesve;
•Mbledhja dhe analizimi i të dhënave; 
•Testimi i të dhënave për të përcaktuar vlefshmërinë e tyre;
•Parimet bazë të indeksimit dhe referencimit të raporteve të auditimit;
•Metodat e intervistimit për marrjen e informacioneve;
•Kampjonimi i mostrave të evidencës audituese;
•Hartimi i pyetësorëve dhe testimi i tyre.

Përveç temave të cilat synojnë ndarjen e eksperiencës së GAO-s në fushën e auditimit dhe ngritjen e kapaciteteve profesionale të pjesëmarrësve në këtë program, GAO i kushtoi rëndësi trajnimit të pjesëmarrësve edhe me njohuri të tjera të tilla si:

•Të menduarit kritik;
•Teknikat për dhënien efektive të informacionit;
•Motivimi dhe fuqizimi i stafit;
•Njohurit që duhet të zotërojë menaxhuesitë; 
•Teknikat e të dëgjuarit në mënyrë efektive;
•Forca e paragjykimeve.   

Programi i fellowship-it ishte i fokusuar kryesisht  në metodat dhe teknikat për kryerjen e auditimeve të performancës dhe aftësitë për zhvillimin e lidership-it. Ai përfshin trajnimin në klasë dhe këqyrjen nga afër të të gjitha fazave të auditimit që prej pranimit të kërkesës së ardhur nga anëtarët e Kongresit për inicimin e një auditimi të caktuar, fazën studimore për auditimet e performances, hartimin matrix –it të auditimit, i cili përfshin hartimin e pyetjes kryesore dhe nën pyetjeve, përcaktimin e kritereve, përzgjedhjen e metodologjisë për mbledhjen dhe analizimin e të dhënave, hartimin e draft raportit, përfshirjen e komenteve të agjencive federale për draft raportin dhe publikimin e raportit përfundimtar. 
Në përmbushje të detyrimeve për pjesëmarrjen në programin e fellowship-it,  në përfundim të programit audituesit e KLSH-së dorëzuan dy punime:

1.Kontrolli i brendshëm në SHBA- eksperienca e përfituar për tu implementuar  në Shqipëri- punuar nga Alfonc Gabili.
2.Diferenca midis Zyrës së auditimit të Qeverisë së SHBA dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit në qasjen ndaj auditimit të performancës me fokus matjen e efektivitetit të programeve qeveritare- punuar nga Alma Shehu. 

gao alma gabili 2

gao alma gabili 3

Përgjatë ndjekjes së programit të fellowship-it audituesit e KLSH patën mundësinë të takohen me Kontrollorin e Përgjithshëm të Zyrës së Auditimit të Qeverisë së SHBA, z. Gene Dodaro të cilit i shprehën falënderimet e Kryetarit të KLSH-së, z. Bujar Leskaj lidhur me marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy institucioneve dhe intensifikimin e tyre gjatë 7 viteve të fundit. Ftesa e GAO-s për pjesëmarrje në programin e fellowship-it dëshmon edhe njëherë gatishmërinë e GAO-s për të ndihmuar KLSH-në në ngritjen e kapaciteteve institucionale dhe profesionale të audituesve të saj. Z. Dodaro shprehu vlerësimin e tij për angazhimin maksimal të z. Leskaj për modernizimin e KLSH-së dhe  ndryshimet e cilësore që ka pësuar institucioni në vitet e fundit .

Në takimin që audituesit e KLSH patën me Drejtorin e Planifikimit Strategjik, z. James Christian Blockwood ata e falënderuan ata për organizimin cilësor të programit të fellowship-it, i cili i mundëson audituesve të njihen dhe të përfitojnë nga eksperienca  e përparuar e GAO-s në auditimet e performancës. Z. Blockwood vlerësoi ndryshimet që ka ndërmarrë KLSH për ti dhënë më shumë rëndësi auditimeve të performancës dhe vlerësimit të programeve qeveritare si dhe përkthimin në gjuhën shqipe dhe përdorimin që kanë gjetur nga audituesit e KLSH-së dy prej dokumenteve kryesore të GAO-s:  Standardet e Auditimit të Qeverisë (Yellow book) dhe Standardet e Kontrollit të Brendshëm (Green book). Z. Blockwood shprehu gatishmërinë për vijimin e bashkëpunimit të mëtejshëm dhe shqyrtimin e mundësisë për të ftuar auditues të KLSH-së për të marrë pjesë edhe në trajnime të tjera afatshkurtra të ofruara nga GAO.

Në përfundim të programit të fellowship-it pjesëmarrësit u pajisën me certifikatën e kryerjes me sukses të këtij programi.