Auditues të KLSH marrin pjesë në Trainimin treditor të organizuar në Prishtinë, nga USAid dhe Qendra për Ekselencë e GAO-s

USAid dhe Qendra për Ekselencë në Auditim e Zyrës së Përgjegjshmërisë Qeveritare (GAO) të ShBA-së, nën kujdesin e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës (në kuadër dhe të festimeve të 15 vjetorit të krijimit të saj), organizuan në datat 1 – 3 Tetor 2018 një trainim mbi Äuditimin e Performancës ku merrnin pjesë rreth 30 auditues të të gjitha niveleve të Institucioneve Supreme të Auditimit të Ballkanit Perëndimor: Kosovës, Shqipërisë, Bosnjë - Hercegovinës, Maqedonisë dhe Malit të Zi. 

Në këtë aktivitet, Kontrolli i Lartë i Shtetit u përfaqësua nga 8 Auditues, ndër të cilët 6 auditues nga Departamenti i Auditimit të Performancës. Trainimi u zhvillua nga një ish auditues i performancës (team leader) me shumë përvojë si në ushtrimin e auditimeve ashtu edhe në zhvillimin e trainimeve të kësaj fushe; të GAO-s, z. Riçard Stana.

trajnim kosov1

trajnim kosov2


Qendra për Ekselencë në Auditim e GAO, ka si mision të nxisë qeverisjen e mire dhe forcojë kapacitetet institucionale të organizmave të kontrollit të përgjegjshmërisë duke i mbështetur më trainime të cilësisë së lartë, asistencë teknike dhe aktivitete e shërbime të tjera mbështetëse, në katër fusha kryesore:
• Auditimet e Performancës,
• Ndërtim Insitutcional,
• Auditime Financiare,
• Lidership dhe Mbikqyrje,
• Si dhe në shumë fusha të tjera specifike: kontrollin e brendshëm, prokurime dhe metodologjinë e auditimit

Trainimi i lartpërmendur, do të përfshinte me hollësi të gjitha hapat që ndërmerren gjatë auditimeve të performances, të përgatitur në 5 module, jo vetëm në aspektin teorik, por dhe të ilustruara me raste dhe gjetje të GAO-s dhe në veçanti nga përvoja e z. Stana.  
 
Gjithashtu ky trainim u dallua për veçorinë se ishte shumë interaktiv ku të gjitha SAI-t pjesëmarrëse folën për specifikat në punën e tyre gjatë auditimeve të performances sipas çështjeve që diskutoheshin. Bazuar në njohuritë e përfituara nga pjësëmarrësit mund të themi se trainimi ishte një vlerë e shtuar dhe i tejkaloi pritshmëritë e pjesëmarrësve.

Në ditën e parë të trainimit u trajtuan çështjet si më poshtë:
- Prezantimi i auditimeve të Performancës
- Planifikimi i Auditimit: Filllimi i auditimit, Çështjet dhe qëllimi i auditimit, Risku i auditimit, Elementët e gjetjeve;
Auditimi i Performancës fokusohet: nëse angazhimet, programet dhe institucionet janë duke ushtruar aktivitetin në bazë të parimeve të ekonomicitetit, eficiencës dhe efektivitetit dhe nëse ka vend për përmirësim.
Performanca shqyrtohet kundrejt kritereve të përcaktuara dhe te shkaqet e shmangieve nga kriteret apo problemeve të tjera të analizuara.
Auditimet e performancës japin informacion, njohuri ose vlerë të re mbi,
• analiza më të gjera ose më të thella,
• bëjnë informacion ekzistues më të kapshëm për përdorues të ndryshëm,
• paraqesin një këndveshtrim ose konkluzion  të pavarur dhe autoritar, bazuar në evidence e auditimit,
• japin rekomandime bazuar në analizë e gjetjeve të auditimit.

Gjatë këtyre auditimeve përfshihen së paku tri palë: audituesit, personat përgjegjës dhe përdoruesit.
Parimet e auditimeve të performances: etika dhe pavarësia; gjykimi professional, kujdesi i duhur dhe skepticizmi; kontrolli i cilësisë; menaxhimi i grupit të auditimit dhe aftësive; risku i auditimit; materialiteti; dokumentimi dhe komunikimi.

Ndër të tjera materialiteti përfshin faktorë të tilla si rëndësia e çështjes nën auditim, natyrën dhe efektin e çështjes, përkatësinë e çështjes, kërkesat dhe interesat e një pale të tretë në dijeni të informacionit përkatës si dhe në ndikimin e programit apo veprimtarisë së audituar. Gjykimi profesional ndihmon audituesit në vlerësimin e materialitetit brenda kontekstit të objektivave të auditimit.

Vlerësimi i riskut të auditimit përfshin si vlerësimin cilësor dhe sasior.
Faktorët që ndikojnë në riskun e auditimit përfshijnë kuadrin kohor, kompleksitetin apo ndjeshmërinë e punës; madhësinë e programit në aspektin e vlerave monetare dhe numrin e qytetarëve që iu është shërbyer; përshtatshmëria e sistemeve dhe proceseve të njësisë së audituar, për të zbuluar mospërputhjet, gabimet e rëndësishme apo mashtrimin; dhe mundësia e audituesve për të marrë të dhëna.

Risku i auditimit mund të zvogëlohet duke ndërmarrë veprime të tilla si duke rritur fushën e veprimeve audituese; duke shtuar specialistë dhe burime të tjera për auditimin; ndryshimin e metodologjisë duke marrë evidencë shtesë dhe të një cilësie më të lartë ose forma alternative të evidencës mbështetëse ose paraqitjen e gjetjeve dhe konkluzioneve në përputhje me evidencën e marrë.
 Në ditën e dytë u trajtuan këto çështje:
- Planifikimi i auditimit: Përcaktimi dhe llojet e evidences, Metodologjia, Metodat e mbledhjes së të dhënave, përzgjedhja e mostrave, administrimi i pyetësorëve dhe kufizimet kryesore;
- Ushtrimi i auditimit: modeli i evidencës, zhvillimi i testeve, testet e evidences dhe intervistat;

Gjatë planifikimit, audituesit duhet: të identifikojnë kriteret e mundshme të nevojshme për të vlerësuar çështjet studimore; burimet e evidencave të auditimit dhe të përcaktojnë sasinë dhe llojin e evidencës së nevojshme për nivel të caktuar të riskut dhe materialitetit të auditimit; nëse do të përdoret puna e audituesve dhe specialistëve të tjerë për të adresuar disa nga objektivat e auditimit; të përfshijnë staf dhe specialistë të mjaftueshëm, me kompetencën e duhur profesionale; të komunikojnë lidhur me planifikimin dhe kryerjen e auditimit me menaxherët, të ngarkuarit me qeverisjen, etj.
Objektivat e auditimit mund të paraqiten si pyetje rreth programit, që audituesit kërkojnë t’u përgjigjen, bazuar në evidencën e marrë dhe të vlerësuara kundrejt kritereve.
        Metodologjia përshkruan natyrën dhe shtrirjen e procedurave të auditimit për mbledhjen dhe analizimin e evidencës për adresimin e objektivave të auditimit. Procedurat e auditimit janë hapat specifike dhe testet që audituesit kryejnë për të adresuar objektivat e auditimit.
        Qëllimi i anketave dhe pyetësorëve në auditimet e performances është për të marrë informacion të mjaftueshëm:
- Për përcaktimin dhe plotësimin e objektivave të auditimit;
- Përcaktimin e fushës, metodologjisë dhe afateve;
- Kriteret e mundshme, burimet e informacionit dhe të të dhënave;
- Dobësitë e kontrollit të brendshëm dhe ndaj mashtrimeve;
- Kufizimet në metoodologjinë e auditimit;

Audituesit duhet të hartojnë metodologjinë për të marrë siguri të arsyeshme se evidence është e mjaftueshme dhe e përshtatshme për të mbështetur gjetjet dhe konkluzionet e audituesve lidhur me objektivat e auditimit dhe për të zvogëluar riskun e auditimit në një nivel të pranueshëm.

Evidenca e marrë me anë të verifikimit të drejtpërdrejtë fizik, vëzhgimit, llogaritjes dhe inspektimit nga ana e audituesve, është më e besueshme se evidenca e marrë në mënyrë të tërthortë.

Në ditën e tretë u vazhdua me Ushtrimin e auditimit dhe Raportimin, ku u trajtuan:
- Konfirmimi i evidences, Skepticizmi professional, Dokumentimi i auditimit dhe analiza e të dhënave.
- Teknikat e zhvillimit të mesazhit, Struktura e Raportit,
- Nevoja për dakordësinë e mesazhit, tre parimet e hartimit të raportit, përdorimi i grafikëve, Rishikimi i punës dhe,
- Ndjekja e zbatimit të rekomandimeve.

Përshtatshmëria e evidences ka të bëjë me atë se sa evidenca është përkatëse, e vlefshme dhe e besueshme!
- Përkatësia ka të bëjë me nivelin që evidenca ka lidhje logjike me çështjen që trajtohet dhe ka rëndësi për çështjen;
- Vlefshmëria, niveli që evidenca është një bazë e kuptueshme, e arsyeshme për të matur atë që vlerësohet.
- Besueshmëria ka të bëjë me rezultatet, kur informacioni është testuar dhe përfshin konceptet e të qenit të verifikueshme dhe mbështetëse.

Përgatitja dhe rishikimi i dokumentacionit të auditimit kontribuon në cilësinë e auditimit. Dokumentimi i auditimit shërben për të ofruar mbështetjen kryesore për raportin e auditimit; për të ndihmuar audituesit në kryerjen dhe rishikimin e auditimit,
dhe për të mundësuar kontrollin e cilësisë së auditimit.

Kërkesat e raportimit për auditimet e performancës lidhen me formën e raportit, përmbajtjen e raportit si dhe nxjerrjen dhe komunikimin.
Nëpërmjet raporteve të auditimit duhet të komunikohen rezultatet e auditimeve tek personat përgjegjës; të bëhen rezultatet lehtësisht të kuptueshme; rezultatet të jenë të mundura edhe për publikun; dhe të lehtësojnë ndjekjen pas auditimit me qëllim përcaktimin nëse ndërmerren veprimet e duhura për eliminimin e të metave të konstatuara.

Një raport cilësor auditimi performance është fundi i produktit të një pune audituese që përmban:
- Pyetje auditimi të bazuara dhe evidence të besueshme në përgjigje të këtyre pyetjeve, të cilat janë baza e raportit të auditimit të performances.
- Një mesazh të qartë auditimi.

Grupi i audituesve të KLSh-së që morën pjesë në këtë trainim i përbërë nga Sali Agaj, Angjela Nestori, Reinis Xhelili, Silvana Ramadani, Miranda Mesini, Artemida Hoxha, Hektor Kosova dhe Kris Anastas, u përfshinë aktivisht në diskutimin e çështjeve dhe dhanë kontributin e tyre në zgjidhjen e ushtrimeve të parapërgatitura nga trainuesi,  për situata konkrete në faza të ndryshme auditimi.
Në mbyllje të trainimit u zhvillua ceremonia e shpërndarjes së çertifikatave për të gjithë audituesit pjesëmarrës, ku merrnin pjesë Audituesi i Përgjithshëm i ZKA z. Besnik Osmani, zv. drejtore e USAid në Kosovë Kristina Devis, zv. auditori i ZKA Ilir Salihu  dhe drejtori i menaxhimit financiar të zyrës së USAid, Markham Isom.

Fjalën e rastit e mbajti Audituesi i Përgjithshëm i ZKA ku theksoi rëndësinë e trainimit në zhvillimin e njohurive profesionale të audituesve, të nevojshme për të qenë të suksesshëm dhe përmirësuar performancën në kryerjen e funksionit të audituesit shtetëror sidhe theksoi se trainimi mbi auditimin e performances është pjesë e aktiviteteve që Zyra Kombëtare e Auditimit po zhvillon këtë javë në kuadër të festimeve  të 15 vjetorit të themelimit si Institucion Suprem i Auditimit në Republikën e Kosovës.