Aplikimi i SAI-PMF – Të udhëheqësh përmes shembullit

Në datat 05-08.06 në Lisbonë, Portugali u zhvillua seminari mbi njohjen dhe aplikimin e SAI-PMF (Sistemi i Matjes së Performancës) nga IDI (Inisitativa për Zhvillim e INTOSAI-t). Qëllimi i këtij seminari ishte ndërgjegjësimi i vendeve anëtare të EUROSAI-t për këtë instrument të ri zyrtar në matjen e performancës individuale të tyre. Vetë SAI-PMF u miratua si dokument i INTOSAI-t në Kongresin e XXII të INCOSAI-t, mbajtur në Abu D’habi në dhjetor të vitit të kaluar, duke i hapur kështu rrugën implementimit të standartizuar të tij në të gjitha vendet e interesuara.

SAI PMF është një sistem holistik (gjithëpërfshirës) vlerësimi, i cili mat performancën e një SAI përkundrejt standarteve ndërkombëtare ISSAI, sikurse edhe praktikave të mira në fushën e auditimit. I konceptuar dhe dizenjuar si një vetë-auditim performance, SAI PMF identifikon, mbi bazën e evidencave, mangësitë dhe përparësitë e aktivitetit të një SAI, duke matur njëkohësisht nevojat për rritje të kapaciteteve, vlerat dhe përfitimet që SAI ofron tek taksapaguesit dhe Kuvendi, sikurse dhe dinamikën e zhvillimit, për të gjurmuar progresin e një SAI në kohë. SAI-PMF, si një instrument fleksibël dhe i adaptueshëm vlerësimi, mund të përdoret si nga SAI-et e organizuara në formën e Gjykatave të Llogarive (Italia, Franca, Portugalia, etj), ashtu edhe nga SAI-et që veprojnë si agjentë të Parlamentit (Shqipëria, Suedia, UK, SHBA, etj). Vetë SAI PMF buron dhe mbështetet në ISSAI-n 12: “ Vlerat dhe përfitimet e një SAI – të bësh ndryshimin në jetët e qytetarëve”, ku theksi vihet mbi udhëheqjen përmes shembullit.

Nga pikëpamja strukturore, SAI PMF mat performancën e një SAI në 7 fusha (brenda dhe jashtë kontrollit menaxherial të institucionit). Secila fushë vlerësimi ka indikatorët e saj, të cilët vetë detajohen në dimensione dhe kritere specifike, ku vlerësimi për këto të fundit shprehet përmes një sistemi binar (0 ose 1, përmbushur ose jo). I ngjashëm me auditimin e performancës, vlerësimi për një fushë të caktuar është piramidal dhe me sistem pikëzimi, ku realiteti i vlerësuar krahasohet me kriterin e përcaktuar në ISSAI-n përkatës dhe dilet në një konkluzion jo vetëm shifror, por edhe cilësor e shtjellues. Grupi i punës që realizon implementimin e SAI-t PMF mund të kompozohet nga punonjës të vetë SAI-t, mund të kontraktohet nga ekspertë të huaj, ose mund të jetë një miks i të dyjave. E rëndësishme për grupin e punës është që të jetë i mandatuar nga titullari i SAI-t, sikurse të ketë pavarësi dhe objektivitet në vlerësimin e tij.

Pjesëmarrës në këtë seminar ishin auditues të niveleve drejtuese nga vende të ndryshme si: Shqipëria, Portugalia, Çekia, Sllovakia, Islanda, Franca, Zvicra, Turqia, Gjeorgjia, Azerbajxhani, Serbia, Hungaria, Moldavia, etj. Seminarin e drejtonin dy kolege audituese nga Norvegjia, anëtare të grupit të punës në IDI, si edhe një konsulent i jashtëm nga Mbretëria e Bashkuar. Të pranishmit u ndanë në grupe pune, ku pjesëmarrësit nga Shqipëria, z. Rinald Muça (drejtor i dept. të auditimit të performancës) dhe z. Vullnet Karafilaj (kryeauditues i dept. të auditimit të buxhetit të shtetit) bashkëpunuan me kolegët çekë dhe sllovakë në detyrat dhe prezantimet që u bënë gjatë 4 ditëve të trajnimit. Bashkëpunimi me kolegët sllovakë e çekë rezultoi i frytshëm jo vetëm në kuadrin e seminarit, por edhe në krijimin e urave lidhëse për bashkëpunime në auditime paralele e workshope të ardhshme. Kështu, kolegët sllovakë ftuan z. Muça dhe z. Karafilaj në konferencën që do të mbahet në dt. 28-29 shtator 2017 në Bratislavë për “Eficiensën e Energjisë”, ndërsa kolegët çekë hodhën idenë e bashkëpunimit për ngritjen e një platforme të përbashkët elektronike për të kontribuar me indikatorë dhe statistika të matjes së performancës nga auditimet e performancës që kryhen në të dyja këto vende. SAI çek, i cili për periudhën 2020-2023 do të mbajë edhe presidencën e EUROSAI-t, propozi gjithashtu një auditim paralel në fushën e strehimit për njerëzit në nevojë.

Në fund të trajnimit, drejtuesit e tij shpërndanë çertifikata kualifikimi për pjesëmarrësit, duke i ftuar ata dhe SAI-t që përfaqësonin, për të kërkuar asistencën e IDI-t në çdo kohë me synim implementimin me sukses të kësaj platforme të re vlerësimi, sikurse edhe për t’i dhënë një dimension të ri motos së INTOSAI-t: “Ekperienca e përbashkët iu vlen të gjithëve”.