Ambasadori Italian në Shqipëri takon Kryetarin e KLSH-së

Në datën 24 shtator 2018, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, z. Bujar Leskaj takoi në mjediset e KLSH Ambasadorin e Republikës së Italisë në Shqipëri, z. Alberto Cutillo.

klsh amb italiZ. Cutillo u interesua të dinte për zhvillimet me nën-komisionin e dedikuar për raportet e KLSH në Kuvend. Kryetari i KLSH i parashtroi Ambasadorit italian marrëdhëniet konstruktive dhe të partneritetit aktiv që KLSH ka pasur në vijimësi me Parlamentin, të intensifikuara gjatë viteve të fundit me rritjen e numrit të raporteve të auditimit dërguar Kuvendit dhe me rezolutat e Kuvendit për KLSH-në. Ai vlerësoi rolin mbështetës të Kryetarit të Kuvendit z. Ruçi dhe të Kryetarit të Komisionit për Ekonominë dhe Financat, z. Braçe. “Ne e kemi konsideruar gjithnjë veten si një institucion “watchdog” në shërbim të qytetarit dhe Kuvendit. Më 4 qershor të këtij viti në Tiranë, në takimin e ndërgjegjësimit mbi zhvillimin e marrëdhënieve mes institucioneve supreme të auditimit dhe parlamenteve, të organizuar nga SIGMA, z. Ruçi u shpreh për ngritjen së shpejti të një nën-komisioni parlamentar për çështjet e KLSH-së. Shpreh bindjen se ky nën-komision do të ngrihet brenda këtij viti”, përfundoi z. Leskaj.
 
Ambasadori Cutillo u interesua dhe për raportet e KLSH me Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm. Kryetari Leskaj nënvizoi se raportet në vazhdimësi kanë qenë korrekte në nivel të zyrës qendrore, por ka munguar bashkëpunimi ndaj dosjeve të kallëzimeve penale të KLSH nga ana e zyrave të Prokurorisë nëpër rrethe. “Me ngritjen e strukturave të reja nga reforma në drejtësi, sidomos të SPAK, bashkëpunimi mes institucionit tonë dhe strukturave të hetimit dhe Prokurorisë do të marrë një shtysë të re, shumë të mirëpritur nga ne”, u shpreh ai. Më tej, Kryetari i KLSH cilësoi se edhe pse detyra kryesore e një institucioni suprem auditimi është të kryejë auditime sa më cilësore, krahas modernizimit të institucionit të KLSH dhe rritjes së cilësisë së gjetjeve dhe rekomandimeve të tij, thellimi i luftës kundër korrupsionit është parë si një detyrë tjetër madhore. “Pikërisht për këtë arsye, gjatë këtyre 7 viteve kemi ecur me një ritëm një kallëzim penal çdo javë”, theksoi Leskaj. Gjithashtu, Kryetari i KLSH-së informoi Ambasadorin Cutillo për treguesit e auditimeve të vitit 2017 dhe 2018, si për numrin e auditimeve të realizuara, dëmin ekonomik të konstatuar, të ardhurat e munguara dhe shpenzimet e kryera jo në përputhje me parimet e efektivitetit, eficiencës dhe ekonomicitetit (3E), masat disiplinore dhe administrative të rekomanduara, rekomandime për ndryshime apo përmirësime të legjislacionit, etj.

Ambasadori italian në Shqipëri, në përfundim të takimit, e falenderoi Kryetarin e KLSH për mikpritjen dhe informacionin e dhënë dhe cilësoi se Italia e konsideron punën dhe progresin e institucionit suprem të auditimit në mbajtjen e qeverisë të përgjegjshme për harxhimin e fondeve publike, si një kontribut themelor në integrimin e vendit në BE dhe, në emër të institucionit që përfaqëson, u shpreh i gatshëm të ofrojë asistencën e duhur.