Akvitetet social-kulturore të zhvilluara me rastin e Konferencës së III-të Shkencore të KLSH-së

20.11.2014

Gjatë zhvillimit të punimeve të Konferencës së tretë shkencore organizuar nga KLSH në datat 29-30 tetor, 2014 me temë “Auditimi Kombëtar në shërbim të Qeverisjes Kombëtare”, për të gjithë të ftuarit, veçanërisht për përfaqësuesit e SAI-ve homologe dhe të Parlamentit Europian e DG Budget, si dhe për pjesëmarrësit e tjerë,  u organizuan edhe disa aktivitete social-kulturore.

Në pasditen e datës 28 tetor, me mjaft interes u ndoq nga të ftuarit dhe pjesëmarrës të tjerë, projeksioni filmik “Here be dragons”, i regjisorit Marc Cousins dhe  Producentëve Don Bozd & Genc Përmeti. Filmi dokumentar hidhte dritë mbi perceptimin e vetë regjisorit Cousins mbi të shkuarën dhe të tashmen në Shqipëri. Gjatë ditëve të qëndrimit të tij ne Shqipëri, Cousins ka filmuar atë që ka parë në këtë vend. Ai zbulon ndër të tjera se dhe arkivi i filmit po shkatërrohet. Gjatë hulumtimit rreth kësaj çështjeje, regjisori Cousins ndeshet me pyetje të mëdha për historinë dhe kujtesën e këtij vendi. Pyetja kryesore që shtrohet është: Një vend, historia e të cilit gjatë shekullit të 20 është dominuar nga diktatura e Enver Hoxhës, a duhet të tolerojë venitjen e trashëgimisë kulturore? A është e mirëpritur harresa kombëtare? I ndikuar nga filmat e Chris Marker, filmi i regjisorit Cousins, merr në konsideratë arkitekturën e diktaturës dhe ikonat e piktorit të madh Onufri. Në të kaluarën, kur hartografët dinin shumë pak për Shqipërinë ata shkruanin mbi harta “Këtu janë Dragonjtë”. Shqipëria ishte për dekada të tëra një nga vendet më pak të njohura në botë. Meditimi filmik i Cousins ka pasur parasysh këshillën e poetit Göthe: " Nëse ju dëshironi të kuptoni poetin, duhet të vizitoni vendlindjen e tij”.
Filmi u ndoq me shumë interes nga të gjithë të pranishmit, nga partneret e huaj të KLSH-së por edhe nga audituesit e shumtë që ishin të pranishëm, sepse patën mundësinë të “zbulojnë” vendin e tyre, parë nga një regjisor i huaj. Në përfundim, z.Genc Përmeti në cilësinë e producentit të filmit, i njohu të pranishmit me detaje dhe informacione mbi fillesën e kësaj ideje, perceptimet dhe eksperiencën e të punuarit me një regjisor të huaj mbi realitetin shqiptar, si dhe me të gjithë ecurinë e zhvillimit dhe realizimit të kësaj vepre artistike.

golemi

Aktivitetet përvijuan edhe në datën 29 tetor  dhe takimi i radhës ishte ekspozita e piktorit Arben Golemi në mjediset e Fakultetit të Arteve të Bukura, me titull XXI. Të gjithë pjesëmarrësit në këtë rrugëtim shoqëroheshin nga vetë piktori Golemi.
Aventura nga konkretja drejt abstraktes, për shumë artistë të shekullit të XX, ishte përkufizimi i vetë krijimtarisë së tyre artistike, ishte botëkuptimi i tyre filozofik për një shekull, gjatë të cilit njerëzimi disa herë u desh të ngrihet nga rrënojat e veta. Edhe për Arben Golemin krijimtaria artistike ngjizet në një format të tillë. Ajo niset nga “gurët e themelit” drejt abstragimit të formave, linjave e strukturave arkitektonike, pa e humbur identitetin e vet.


Si një filozofi instiktive, ajo kthehet e rikthehet në përditshmërinë e tij, duke ri-propozuar forma e ngjyra që shpërhapen me forcë në sipërfaqe të mëdha, në një rend estetik të sprovuar, por me shijen e “herës së parë”, si një piktor që kërkon në subjektet e tij emocionin e parë të krijimit.

E kështu në aventurën e tij të 21-të personale, Golemi prezantohet me dy cikle të reja tablosh, realizuar mes viteve 2011 – 2013, atë të Nju Jorkut dhe atë të Pyllit. Në një vështrim të parë ato duket se nuk ndajnë asgjë me njëri – tjetrin, por pas një vështrimi analitik del e qartë se në të dy subjekte, Golemin e tërheqin të njëjtit elementë: madhështia, misteri, rendi estetik kapriçoz, ashpërsia që ato mbartin, por edhe emocioni që të kapërthen në përballje.

Cikli i parë lindi në Nju Jork në vitin 2011, kur Golemi vendos t’i dedikojë një seri të gjatë rrokaqiejve të qytetit. Këtë subjekt ai e servir në plan të parë si protagonist absolut të karakterit të vetë qytetit, duke theksuar stërzgjatjen e tyre vertikale, reflekset kromatike, supremacinë dhe kthjelltësinë arkitektonike. E si simbol i përzgjedhur i tij, sa edhe i vetë shpirtit kapitalist amerikan, ato dominojnë plotësisht hapësirën kompozicionale, me një linjë horizonti të mohuar, si për të mos i lënë asgjë konkurrencës. Herë si ushta a kama të ndryshkura, e herë si amalgama kromatike, ato propozohen si sinonim i kohës që shënuan, kur hekuri e betonarmeja sfiduan lartësitë dhe ligjin e gravitetit në emër të industrializimit. Përtej fasadës së latuar të këtyre përbindëshave bashkëkohorë Golemi në telajot e tij prej disa metrash, arrin të transmetojë tensionin e urbanizimit të skajshëm, të instiktit të ethshëm të botës moderne, të konkurrencës së pashpirt, të urisë së pashuar të manjatëve të financës, e çdo vlere tjetër përcjellë me “besnikëri” nga arti i shtatë. (Tabloja Winter NY).

Në ciklin tjetër, propozohet kahu i kundërt i urbanizimit, ai i Pyllit të errët, që për çdo filozof a shkrimtar simbolizon “thjesht” natyrën e errët të shpirtit njerëzor. Shumë prej tablove të këtij cikli transmetojnë pikërisht tensionin dhe mistikën e natyrës së egër, ku trungjet ngushtohen me njëri-tjetrin duke reduktuar hapësirat në minimumin e domosdoshëm. Tërheqja e Golemit drejt subjektit të natyrës së egër është një udhëtim i të pandërgjegjshmes drejt instinktit primordial, atij të virilitetit, përballjes me frikërat dhe egërsinë e një botë me rregulla antike. Përfytyrimi i Pyllit në krijimtarinë e tij është shpesh i egër, “pa doreza”, ndërsa herë të tjera përqendrohet tek ritmi i shfrenuar i trungjeve të errët, përndezur në sfond nga një perëndim dielli i flakëruar.

Në esencë, të dy ciklet i thërrasin një bote larg realitetit të përditshëm urban. Golemi i përzgjedh ato si “oaz” i ri inspirimi, të largët por domethënës, për të servirur pikërisht atë që e përditshmja nuk ofron. Si një vëzhgues i kujdesshëm ai e ushqen veten me simbolikën e tyre, duke i ofruar ato “thatë”, pa prezencë njerëzore, si zgjedhje e ndërgjegjshme, për të mbetur koncentrat i mesazhit që mbartin. Në pjesën më të madhe të tyre gjesti piktorik është “i rëndë”, nënvizuar me forcë, duke lënë një sipërfaqe të vrazhdë, jehonë e prekjeve informale. Në raste të tjera ai shtohet nga elementë të jashtëm, si në rastin e Winter NY, ku një rrjetë metalike ngarkon të gjithë pikturën në peshë reale e simbolike. Përveç tyre ekspozita ofron tablo të tjera të artistit realizuar në vitet e mëparshme, ku struktura arkitektonike, karakteristike e qytetit të tij të lindjes, Beratit, apo pjesë e repertorit botëror të shprehisë arkitektonike, plotëson profilin e tij artistik të dhjetë viteve të fundit. Prezent prej më se dy dekadash në sistemin e artit, brenda dhe jashtë vendit, Golemi përbën tashmë një realitet të konsoliduar, me një gjuhë vizive personale të identifikueshme, e cila sipas kritikes Jeannie McCormack, “demonstron gamën e gjerë të ngjyrave, si dhe energjinë e gjesteve, me të cilat ai nxjerr në pah pasuritë e trashëgimisë së tij kulturore, duke krijuar kompozime që menjëherë tërheqin vëmendjen për vrullin dhe fuqinë me të cilat janë janë paraqitur. Në të vërtetë, pesha dhe pa epshmëria e formave të paraqitura prej tij, vendosmëria e penelatave të hedhura, syri i pagabueshëm për ngjyrat, dhe penelatat ritmike të kompozimeve të tij e mbushin pikturën e Arben Golemit me fuqi të pamohueshme”.


ekspo1Aktiviteti kulturor përmbyllës i zhvilluar në pasditen e 30 tetorit, i njohu të ftuarit me zhvillimet dhe evoluimin institucional të KLSH-së përgjatë gjithë historikut të krijimit të këtij institucioni. Në mjediset e KLSH-së, ku vitin e kaluar u përurua mini-muzeu historik i institucionit, të ftuarit mundën këtë herë, siç edhe ishte premtuar një vit më parë, të njiheshin me më shumë detaje dhe zhvillime të shpalosura në stendat e reja që e kishin pasuruar këtë mini-muze. Historiania e njohur, Prof.Dr. Kaliopi Naska, edhe një herë, u përcolli pjesëmarrësve një ekspoze dokumentare dhe fotografike të hapave kryesorë të zhvillimit 89-vjeçar të institucionit.