Aktivitetet e Muajit të Hapur të KLSH, 19-20 nëntor

04.12.2017

Dekorimit i Presidentit të Republikës së Shqipërisë (2012-2017), Sh.T.Z. Bujar Nishani me titullin “Nderi i Labërisë”
Në datën 19 nëntor, Shoqata Kulturore Atdhetare “Labëria”, organizoi një ceremoni për dekorimin e Sh.T.Z. Bujar Nishani, President i Republikës së Shqipërisë (2012-2017), me titullin e lartë të kësaj shoqate: “Nderi i Labërisë”. Kjo ceremoni, e mbajtur në ambientet e Muzeut Historik  Kombëtar, solli bashkë më qindra personalitete të krahinës së Labërisë, edhe drejtues institucionesh, figura publike, akademikë dhe qytetarë.Në këtë ceremoni mori pjesë Kryetari i KLSH-së, z.Bujar Leskaj dhe auditues të KLSH-së.
Në fjalën e tij Sh.T.Z. Bujar Nishani shprehu disa herë mirënjohjen e tij për këtë nderim. Mbi të gjitha, Presidenti Nishani vlerësoi mundësitë që ka pasur për të drejtuar disa prej institucioneve më të larta të shtetit shqiptar, ku sigurisht më i rëndësishmi është ai i Presidentit të Republikës. Zoti Nishani theksoi lidhjet e tij edhe familjare me krahinën e Labërisë dhe vlerësoi figurat, me të cilat kjo krahinë ka kontribuar në historinë e Shqipërisë.
Ceremonia u mbyll me përshëndetje të grupeve folklorike dhe biseda me pjesëmarrësit.

Leksion i Prof. Dr. Artan Fugës me auditues të KLSH
Një aktivitet shumë interesant ishte organizimi në sallën e Akademisë së Shkencave, në datën 20 nëntor i takimit me Prof. Dr. Artan Fugën.
Takimin e hapi znj. Lindita Lati, Drejtoreshë e Përgjithshme në KLSH, e cila bëri një prezantim të profesorit, intelektualit, filozofit dhe akademikut Prof.Dr. Artan Fuga.

10java

Prof. Fuga në fillim të fjalës së tij përshëndeti audituesit e KLSH-së, duke vlerësuar maksimalisht punën e tyre të vështirë por me vlerë dhe dobi për qytetarët shqiptarë.
 
Prof. Dr.Fuga, në bashkëbisedimin e tij me audituesit e KLSH-së e nisi me një analizë të gjatë për auditimin, audituesin dhe institucionin që kryen auditimin dhe evidentoi faktin që  “...ai kishte pak frikë” prej audituesve të KLSH-së, e në fakt kjo është një frikë frytdhënëse, që sipas tij duhet ta ketë jo vetëm çdo zyrtar i shtetit por edhe çdo qytetar. Ai elaboroi idenë se nëse një zyrtar, kallëzohet penalisht nga KLSH, në fakt, ai e ka zgjedhur vetë këtë rrugë,  në momentin që ka vendosur me ndërgjegje të plotë të bëjë shkeljen.
Prof. Fuga gjatë leksionit të tij analizoi vështirësitë e punës së audituesit dhe faktin që rezultatet finale janë pozitive nëse sinergjizohen përpjekjet e të gjitha institucioneve të shtetit, medias, shoqerisë civile, etj. Por fatkeqësisht-vijoi z.Fuga-KLSH është “tradhëtuar” nga media, akademiku, intelektuali, politika, etj. Media ka mëkatet e saj sepse gazetari nuk e konsideron raportin e auditimit si një bazë për të investiguar më tej. Gazetari sot në Shqipëri në më të mirën e rastit, vetëm sa e kopjon tekstin në portalin e tij. Gazetarinë investigative sipas z.Fuga e pengon në shumicën e rasteve pronari i medias, i cili është i detyruar që të ketë raporte të mira me shtetin, me bizneset dhe me individë të fuqishëm politikë, për shkak të interesave të tij financiare.
Profesorët e universiteteve shqiptare, nga ana tjetër nuk e nxisin studentin të ketë mendim kritik, nuk e përgatisin as të jetë një specialist i mirë në tregun e punës, dhe as nuk e nxisin të jetë një qytetar i mirë. Kësisoj, auditimet e KLSH nuk ndihmohen as nga qytetarë të ndërgjegshëm nesër, as nga punonjës të ndërgjegjshëm të shtetit. Në këtë mënyrë profesorati nuk prodhon teza për përmirësimin e shoqërisë.
Së fundmi zoti Fuga argumentoi që as deputeti nuk është përkrah audituesit sepse së pari ndihet i pafuqishëm për të bërë diçka kundër partisë së tij dhe njerëzve të partisë në administratë, e dyta sepse nuk ka as një asistent që t’i ofrojë ekspertizë.
Më tej Prof.Fuga vijoi me eksperiencën e tij akademike në Francë dhe solli shumë shembuj që lidhen me mënyrë e trajtimit të cështjeve dhe me mentalitetin e ndryshëm mes dy vendeve tona.
Me shumë interes u ndoqën diskutimet që Prof. Fuga pati me të pranishmit vecanërisht për auditimet e performancës.
Audituesit ndoqën me shumë kureshtje leksionin e filozofit Artan Fuga, i cili megjithëse zgjati dy orë la shumë hapësira dhe dëshirë për të vijuar me një takim të dytë.
Prezantimi i Auditimeve të Departamentit të Performancës
Po në sallën e Akademisë së Shkencave, në datën 20 nëntor, Drejtori i Departamentit të Auditimit të Performancës në KLSH, z. Rinald Muça prezantoi 20 auditimet e këtij departamenti të realizuara në periudhën 1 janar 2016-nëntor  2017.

11java

Të gjitha këto auditime sipas fushave që trajtojnë janë botuar së fundmi në një libër, pjesë e kolanës së botimeve të KLSH-së.
Duke folur për librin, “Auditimi i performancës në KLSH: 2016-2017”, z.Muça tha se  botimi në fakt është shumë-dimensional dhe ushqehet nga një sërë burimesh e konkretisht:
- Ushqehet më së pari nga vizioni i kahershëm i Kryetarit të KLSH, inisiativa e të cilit për t’i shtuar institucionit një aspekt të thelluar publicistiko-akademik është ndoshta unike në të gjitha SAI-t e zhvilluara dhe padyshim një sukses i ngritur mbi guximin për të provuar dhe besimin tek aftësitë dhe përkushtimi i kolegëve. Jo vetëm ky botim, por e gjithë kolana e botimeve të KLSH-së është kuruar me kujdes nga profesionistët përkatës të fushave të ndryshme të auditimit, nën mbikëqyrjen e vazhdueshme të Kryetarit dhe drejtorëve të departamenteve, duke pasuruar në këtë mënyrë bibliotekën personale të secilit prej nesh, brenda dhe jashtë KLSH-së.
- Ushqehet gjithashtu nga standartet ndërkombëtare të auditimit, konkretisht ISSAI 100 – Parimet themelore të auditimit të jashtëm publik dhe ISSAI 300 – Parimet e auditimit të performancës, që theksojnë rëndësinë e një komunikimi efektiv me palët e interesit. Ky komunikim nuk duhet trajtuar ngushtë vetëm në formën e raporteve që i përcillen në fund të çdo misioni auditimi subjekteve të audituara, por duhet trajtuar si një marrëdhënie e vazhdueshme dhe dinamike midis qytetarëve, botës akademike, medias, Kuvendit dhe partnerëve të huaj, ku padyshim botimet janë një ingredient vital në menunë e pasur të informacionit që ofron sot KLSH.
- Vetë botimi është fryt i drejpërdrejtë i manualit të auditimit të performancës që specifikon në mënyrë të qartë dhe bashkëkohore formën e mesazhit të auditimit, kontekstit dhe përkufizimit të problemit social, përkthimit të tij në problem performance dhe zbërthimit në një piramidë pyetjesh reciprokisht përjashtimore dhe bashkarisht shterruese.
- Së fundmi, botimi është vetëm maja e ajsbergut të mijëra orëve pune të audituesve të performancës dhe jo vetëm, mijëra faqeve të shfletuara dhe qindra faqeve të shkruara, debateve mes kolegësh e supervizimi eprorësh e partnerësh të huaj, kontributi ekspertësh e observacione subjektesh. Në këtë sens, botimi e ka kaluar me sukses sprovën e “makinës të së vërtetës”.

Z. Muça u ndal më gjerësisht tek disa auditime kryesore si Auditimi për Mbrojtjen e Konsumatorit, për Shërbimin e Transportit Publik në Bashkinë e Tiranës, për sistemin e rehabilitimit të të përndjekurve politikë, Auditimin mbi Menaxhimin e Parqeve Kombëtare, mbi menaxhimin e burimeve njerëzore në pushtetin vendor, etj.
“Ky botim i KLSH-së vjen në vitin e fundit të implementimit të Strategjisë 2013-2017 dhe në një moment të tillë është e natyrshme të reflektohet, analizohet dhe planifikohet me guxim për të nesërmen. Ajo që mund të thuhet me bindje është se Auditimi i Performancës nuk është më një praktikë e re në eksperiencën institucionale”-përfundoi prezantimin e tij Drejtori i Departamentit të Auditimit të Performancës, z.Rinald Muça.