Aktivitetet e Muajit të Hapur të KLSH, 17-18 nëntor

03.12.2017

Në kuadër të pjesëmarrjes së KLSH-së në edicionin e 20-të të Panairit të Librit, në datën 17 nëntor në një nga sallat e Pallatit të Kongreseve u mbajt aktiviteti i promovimit të Kolanës së Botimeve të KLSH. Në këtë panair, KLSH paraqitet për të pestin vit radhazi dhe vjen me 77 botime të kolanës së tij (2012-2017), nga të cilat 10 botime i përkasin vitit 2017.
Ky aktivitet u hap nga Drejtorja e Drejtorisë së Komunikimit, Botimit dhe Marrëdhënieve me Jashtë, znj. Irena Islami, e cila  parashtroi vizionin e institucionit për të realizuar 100 botime deri në fund të vitit 2018. KLSH vjen në këtë panair me 77 botime përkundrejt 17 botimeve të vitit 2013, kur mori pjesë për herë të parë modestisht në këtë panair. Botimet e KLSH, krahas informimit të opinionit të gjerë publik, i ndihmojnë audituesit publikë për formimin e kapaciteteve të tyre, zbatimin rigoroz të standardeve INTOSAI dhe shkëmbimin e eksperiencave të mira të punës, në bazë të motos së INTOSAI-t “Nga eksperienca e përbashkët përfitojnë të gjithë”.

1java

Kolana e botimeve të KLSH-së është shtuar gjatë viteve të fundit me tituj gjithnjë e më cilësorë dhe ka qenë krejt e natyrshme pjesëmarrja e KLSH-së për herë të pestë në Panairin e Librit që zhvillohet çdo vit në Tiranë, në Pallatin e Kongreseve. Në panairin e këtij viti, KLSH u paraqit me kolanën e botimeve të saj me 77 tituj, ndër të cilët :
17 numra të Revistës Shkencore “Auditimi  Publik” në gjuhën shqipe dhe angleze;
6 analiza 6 mujore dhe vjetore të punës së KLSH-së;
7 botime që i dedikohen Performancës së institucionit në shqip dhe në anglisht;
8 volume të shkrimeve të përmbledhura të audituesve në shtypin e përditshëm;
6 volume që lidhen me Konferencat Shkencore vjetore të KLSH-së;
16 tituj që lidhen me Standartet INTOSAI, Manuale dhe Guida të auditimit;
4 tituj që lidhen me Etikën dhe Integritetin;
13 tituj te tjerë që pasqyrojnë auditimet e KLSH-së në vitet 2012-2015, strategjitë e KLSH-së, historikun e INTOSAI-t, etj.
Në fund zj.Islami nënvizoi se “....sfida jonë është 100 tituj deri në fund të vitit 2018. Me numrin e botimeve që kemi realizuar deri tani si institucion, mund te themi që përpara nuk kemi më një sfidë por një objektiv të realizueshëm. Botimet e KLSH-se nuk janë thjesht numa qe rriten çdo vit por këto botime i shërbejnë rritjes se transparencës dhe llogaridhënies, duke bërë një hap të rëndësishëm sasior dhe cilësor në kontributin ndaj mirëqeverisjes, përmes bërjes publike dhe transparente të të gjithë veprimtarisë së instiucionit dhe rritjes së kapaciteteve në fushën e auditimit publik”.
Më pas e mori fjalën zj.Lindita Lati, Drejtore e Përgjithshme në KLSH, e cila bëri një përmbledhje të shkurtër të botimit të KLSH-së “Korniza e Matjes së Performancës së SAI-ve” dhe aplikimin e kësaj metode në KLSH, në vitet e fundit gjatë analizave vjetore të punës së institucionit.
Korniza e Matjes së Performancës së SAI-ve është një platformë universale dhe mund të zbatohet në të gjitha llojet e SAI-ve, pavarësisht nga struktura e qeverisjes, mandati, konteksti kombëtar dhe niveli i zhvillimit.
Korniza shërben, para së gjithash, për të kontribuar në përmirësimin e kapaciteteve të SAI-t, përmes matjes së performancës.

Prof. Dr. Sazan Guri paraqiti planet për bashkëpunimin me KLSH në të ardhmen, me të njëjtën cilësi që janë mbyllur edhe projektet e deri tanishme. Ai theksoi se auditimi mjedisor është jo thjesht një detyrim ligjor por një nevojë jetike për Shqipërinë. Në fjalën e tij ai përkujtoi sërish një tjetër bashkëpunëtor të KLSH mbi auditimin mjedisor, të ndjerin Prof. Niko Pano.
Fjalën e mori më pas znj. Luljeta Nano, Sekretare e Përgjithshme e KLSH. Zonja Nano në fjalën e saj paraqiti botimet e reja të KLSH që lidhen me Etikën Institucionale të një Institucioni Suprem të Auditimit. U parashtrua në këtë fjalë botimi që përfshin : ISSAI 30 Kodi i Etikës; Auditimi i Etikës në sektorin publik; Si të implementojmë ISSAI 30. Të tre këto dokumente janë nga prurjet më të fundit që vijnë nga Organizatat e INTOSAI-t dhe EROSAI-t. Ky botim është i dobishëm për te gjithë armatën e audituesve të brendshëm dhe të jashtëm por edhe për qarqet akademike apo dhe palët e tjera te interesit.
Z. Alfred Cako, botues dhe ish-deputet ne Kuvendin e Shqipërisë e përshëndeti këtë aktivitet duke vlerësuar vizionin për kolanën e botimeve në KLSH. Ai gjithashtu i cilësoi botimet si projekte të një niveli të lartë teknik, si përsa i përket gjuhës së përdorur, ashtu edhe cilësisë së formës së botimit.
Z. Bajram Lamaj, Drejtor i Departamentit të Auditimit të Aseteve dhe Mjedisit u ndal tek paraqitja e një botimi të veçantë të KLSH. Libri “Guida e planifikimit të menaxhimit dhe administrimit të aseteve në vetëqeverisjen vendore”, është produkt i njohurive, eksperiencës dhe punës së gjatë të z. Lamaj në KLSH. Zoti Lamaj tregoi rrugëtimin e tij në shkrimin e kësaj guide, që ai shpreson se do t’iu shërbejë si udhërrëfyes jo vetëm audituesve të KLSH, por edhe nëpunësve të njësive të vetëqeverisjes vendore, medias e qytetarëve.
Takimi kulturor në Teatrin Eksperimental Kujtim Spahivogli, Tiranë
Mbrëmja e datës 17 nëntor për punonjësit e KLSH por jo vetëm, ishte një mbrëmje e veçantë kulturore. Pikërisht në kuadër të muajit të hapur në këtë institucion, aktori i mirënjohur Mirush Kabashi u ngjit në skenë ekskluzivisht për punonjësit dhe të ftuarit e KLSH. Në skenën e teatrit “Kujtim Spahivogli” të Tiranës, aktori Kabashi performoi përpara publikut një cikël poemash me titullin “Ah moj demokraci!”.

2java

3java

Kjo shfaqe u mirëprit nga të gjithë spektatorët dhe falënderimet dhe urimet për aktorin Kabashi u shprehën përveçse personalisht, edhe përmes duartrokitjeve të gjata në një sallë të mbushur plot. Stafi i KLSH u shpreh mirënjohës për mesazhet që kjo shfaqe transmetoi, që megjithëse e ideuar 27 vite më parë, vazhdon të godasë edhe sot zakonet e mbrapshta të shoqërisë dhe institucioneve shqiptare.
Vetë z. Kabashi falënderoi përzemërsisht të gjithë të pranishmit dhe në veçanti Kryetarin e KLSH z. Bujar Leskaj, për këtë mundësi kontakti mes institucionit dhe kulturës.

Prezantimi i aktiviteteve të zhvilluara jashtë vendit
Paraditen e datës 18 nëntor,  në sallën e Akademisë së Shkencave u organizua aktiviteti i radhës në kuadër të muajit të hapur.

Në këtë aktivitet u prezantuan të gjitha aktivitetet e zhvilluara jashtë vendit nga KLSH në dy vitet e fundit.

4java

KLSH ka vendosur një standard shumë të mirë të shkëmbimit të përvojave me partnerët dhe partneritet me institucionet e vendeve të tjera. Ajo që e jetëson këtë dinamizëm është puna e çdo audituesi, e çdo të angazhuari, sepse pa të do të ishte e vështirë që një institucion të jepte rezultate në atë rrugë dhe në atë mënyrë që e duam të gjithë.
Mbështetur në këtë standard gjatë vitit 2016 kanë marrë pjesë në aktivitetet jashtë vendit 153 auditues (nga 157 gjithsej) ose jane realizuar në total 765 ditë/njerëz. Me të njëjtin ritëm institucioni ka ecur edhe gjate vitit 2017 dhe deri ne gjysmen e parë të muajit nëntor kanë qenë jashtë vendit 136 punonjës dhe janë realizuar 612 ditë/njerëz.
Kryetari i KLSH-së, z.Bujar Leskaj në fjalën e tij në hapje të këtij aktiviteti u përqëndrua në aktivitetet e organizuara nga EUROSAI dhe INTOSAI gjatë kësaj periudhe, duke theksuar që arsyeja e paraqitjes së këtyre dy kumtesave te zgjeruara për EUROSAI-n, INTOSAI-n dhe Axhenden 2030 te Zhvillimit te Qendrueshem, është nevoja qe kemi te gjithë ne për te njohur më shumë institucionet ndërkombëtare ku institucioni ynë, KLSH aderon dhe kontribuon, si dhe zhvillimet dhe objektivat kryesore ne nivel ndërkombëtar, qe lidhen me punën tonë audituese.

5java

6java

“EUROSAI - platforme shkëmbimi idesh dhe debati profesional mbi auditimin-Si mund të ndihmojnë SAI-t në rikthimin e besimit të qytetarëve tek qeverisja publike?”;
Në këtë kumtesë Kryetari i KLSH-së u përqëndrua në Kongresin e Xtë të EUROSAI-t që u zhvillua në datat 22-25 Maj 2017, në Stamboll, Turqi.
Kongresi i X-të i EUROSAI-t u mbajt në një kohë kur globalizmi, zvogëlimi i të ardhurave publike nga nje rritje ekonomike poshtë potencialit për shume vende evropiane, kredibiliteti ne renie i institucioneve publike, instabiliteti financiar dhe politik, si dhe shtrëngimi i vazhdueshëm i imponuar nga pasojat e krizës botërore financiare dhe ekonomike 2008-2012, paraqesin sfida të rëndësishme për kontinentin tonë dhe  kërkojnë një qendrim më të përgjegjshëm dhe nje angazhim më të madh të institucioneve themelore te Shtetit në çdo vend evropian.
Kryetari i KLSH-së vijoi më pas me rëndësinë që i ka dhënë KLSH pjesëmarrjes në grupet e punës së EUROSAI-t dhe rolit që luajnë këto grupe pune në rritjen e kapaciteteve të audituesve të KLSH-së.
Në fund Kryetrai Leskaj e mbylli prezantimin e tij duke theksuar që “...objektivat parësore të Kongresit të X-të të EUROSAI-t, duhet të na shërbejnë si auditues për të rritur dijet tona në auditim, sidomos dijet mbi ISSAI-t dhe zbatimin e tyre ne praktikë, në përputhje me moton e Kongresit të X-të të organizatës sonë rajonale”.
Kryetari i KLSH në kumtesën e tij të dytë, “INCOSAI XXII: SAI-t në shërbim te qytetarit dhe të bashkuar në ambicie dhe vendosmëri-profesionalizmi dhe çfarë mund ta bëjë INTOSAI-n një organizatë më të shquar ndërkombëtare”,  bëri një prezantim të gjatë lidhur me historikun e INTOSAI-t, INCOSAI XXII që u zhvillua në dhjetor të vitit 2016 në Abu D’Habi, mbi objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm, ISSAI-t, Iniciativën për Zhvillim të INTOSAI-t, IDI-n, etj.
Kongresi INCOSAI XXII u ofroi të gjitha SAI-ve anëtare një mundësi për të ndarë përvojat pozitive në auditim, për të diskutuar çështjet që i shqetësojnë më shumë dhe përbëjnë sfida themelore për to. Në Kongres morën pjesë aktive përfaqësuesit më të lartë të Kombeve të Bashkuara, Bankës Botërore dhe organizatave të tjera ndërkombëtare dhe profesionale që mbeshtesin auditimin më të lartë publik në botë.
Në fund zoti Leskaj e përmbylli kumtesën e tij duke theksuar, “Puna jonë si auditues nuk mund të kuptohet e pavarur dhe profesionale, pa standartet e fushës ISSAI te organizates sonë INTOSAI. Ato jane udherrefyesi yne i pagabueshem dhe garancia e efektivitetit dhe efiçiencës se gjetjeve tona. Sot INTOSAI, pas 64 vjet ekzistence, e sheh veten një organizatë, e cila, bazuar ne parimet e vullnetarizmit dhe barazisë dhe në moton e saj “Experentia mutua Omnibus prodest(Nga eksperienca e perbashket fitojnë të gjithë)”, po udhëheq nëpërmjet shembullit, e përqendruar në rritjen e profesionalizmit të saj dhe të SAI-ve anëtare”. 

7java

8java

Në vijim, 97 aktivitetet jashtë vendit të realizuara në periudhën 2016-2017 (seminare, workshop-e, konferenca, Kongrese, takime dhe grupe pune të INTOSAI-t, EUROSAI-t, etj) u prezantuan nga audituesit e KLSH-së, të cilët u ndalën kryesisht tek mesazhet që kanë shkëmbyer dhe tek njohuritë që pjesëmarrësit kanë përftuar në këto aktivitete. Pjesa e dytë e këtyre prezantimeve u vijua në datën 20 nëntor.
Listën e plotë të referimeve do ta gjeni në linkun : Aktivitetet e zhvilluara nga KLSH jashtë vendit për periudhën 2016-2017