90 Vjet, Kontrolli i Lartë i Shtetit

 

90_vjet_2261_0

Kujtesa institucionale e një organi kushtetues është e një rëndësie parësore për të lexuar drejt vlerat dhe kontributin e tij përgjatë viteve, por edhe gabimet dhe momentet e kthimeve prapa. Një analizë e tillë në dritën e fakteve të plota i shërben institucionit kushtetues për të kuptuar qartë pozicionin e tij në shoqëri, por edhe opinionit publik dhe qytetarëve për të peshuar si duhet misionin dhe realizimin e tij nga ky institucion. Si KLSH, në 90-Vjetorin e krijimit të institucionit, duke iu referuar orientimit themelor të Kongresit të XXI-të, të INTOSAI-t, në tetor 2013 në Pekin, për vendosjen e auditimit kombëtar në shërbim të qeverisjes kombëtare, kemi kënaqësinë të sjellim tek lexuesit këtë përmbledhje të kumtesave, përshëndetjeve dhe aktiviteteve kryesore për kremtimin e këtij jubileu.

Sikurse e theksoi Gene L. DODARO, Audituesi i Përgjithshëm i GAO-s amerikane në përshëndetjen e tij drejtuar KLSH në 90 Vjetorin e krijimit të saj, “Institucionet Supreme të auditimit sot janë pozicionuar si kurrë më parë, për të bërë diferencën, jo vetëm për vendet e tyre, por në tërësi për të gjithë botën. Në nivel kombëtar, SAI-t ndihmojnë në përmirësimin e shërbimeve publike dhe ndihmojnë drejtuesit publikë të planifikojnë të ardhmen”. Duke e parë veten në këtë mision, kemi kërkuar identitetin institucional, nëpërmjet dokumentimit dhe hedhjes dritë të plotë mbi historine e zhvillimit të KLSH, si një përgjegjësi për brezat që vijnë, por edhe një shërbim për qytetarin, opinionin publik dhe partnerët tanë vendas dhe të huaj.Historiku i Kontrollit të Lartë të Shtetit lidhet ngushtë me shpalljen nga deputetët e Kuvendit Kushtetues më datë 21 janar 1925 të krijimit të Republikës Parlamentare Shqiptare. Pas miratimit të Statutit Themeltar të Republikës Shqiptare, Presidenti i Republikës, Ahmet Zogu më datë 20 maj 1925 firmosi Dekret- Ligjin “ Mbi formimin e Këshillit Kontrollues”, dekret që hyri në fuqi më datë 26 maj 1925.

Ky këshill krijohej si organ kushtetues dhe nuk varej nga asnjë ministri. Në vitet 1928-1939, vendi drejtohej nga një monarki institucionale. Me ligj të veçantë përcaktohej mënyra e organizimit dhe ushtrimit të veprimtarisë së institucionit të Kontrollit Shtetëror, mënyra e raportimit në Parlament dhe marrëdhëniet e tij me qeverinë e mbretin.

Në Gusht të vitit 1946 bëhet riorganizimi tërësor i organeve të kontrollit, si në formë edhe në përmbajtje. Me ligj të veçantë të Kuvendit Popullor krijohet Komisioni i Kontrollit të Shtetit, i cili ishte në përbërje të Qeverisë dhe në varësi të plotë prej saj (strukturë nën varёsinё e ekzekutivit dhe të partisë-shtet), duke humbur pavarësinë dhe duke qenë në shërbim të politikës së shtetit totalitar. Me vendosjen e pluralizmit në Shqipëri, me asistencën e BE u hartua projektligji “Për Shërbimin e Kontrollit të Shtetit”, i cili u miratua nga Kuvendi i Shqipërisë në 31 gusht 1992.

Në këtë ligj sanksionohej se Shërbimi i Kontrollit të Shtetit ishte organi më i lartë i kontrollit ekonomiko-financiar dhe i pavarur nga qeveria.Pavarësia e plotë, depolitizimi dhe departizimi i organit suprem të kontrollit u realizuan me miratimin e ligjit nr. 8270, datë 23.12.1997 “Për Kontrollin e Lartë të Shtetit” dhe më pas të ligjit themelor të Shtetit nr. 8417, datë 21.10.1998 “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, pjesa e katërmbëdhjetë “Kontrolli i Lartë i Shtetit”, nenet 162-165. Në datën 27 nëntor 2014, Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin e ri të KLSH-së, nr.154/2014, “Mbi organizimin dhe funksionimin e KLSH”, i cili hyri në fuqi në shkurt 2015.

Ky ligj realizon profilizimin e KLSH-së si një institucion modern evropian i auditimit suprem publik, i cili e bazon aktivitetin e tij tërësisht në standardet ndërkombëtare të INTOSAI-t. KLSH gjatë gjithë periudhës së pluralizmit ka vepruar në mënyrë të pavarur, duke gëzuar pavarësi dhe duke u përpjekur të bashkëpunojë me institucionet homologe dhe partnerët ndërkombëtare. Në pamundësi të përmendjes së të gjithë figurave të 90 VJET KLSH 9 drejtuesve të KLSH ndër vite, do të veçoja personalitetet e ndritura, veçanërisht në vitet 1925-1944, si: Kol Thaçi, Lac Gera, Llambi Aleksi, Fejzi Alizoti, Lame Kareco, Eqerem Libohova, Xhaferr Ypi, Rrok Gera, Izedin Beshiri dhe të tjerë. Dëshiroj gjithashtu të vlerësoj punën reformuese të kryetarëve të KLSH-së në vitet e demokracisë, z.Zyhdi Pepa, z.Ylli Memisha, z.Stefan Papagjoni, Prof. Dr. Blerim Çela, z.Mustafa Kërçuku, z.Robert Çeku, etj.

Dëshiroj të shpreh falënderimet e mia për të gjithë përfaqësuesit e Organizatave Evropiane dhe Ndërkombëtare të Auditimit, drejtuesit e SAI-ve partnere që morën pjesë në kremtimet e 90 vjetorit dhe në vecanti Presidenti i Gjykatës Evropiane të Audituesve, z. Vitor Manuel da SILVA CALDEIRA, Presidenti i Gjykatës Austriake të Auditimit dhe njëkohësisht Sekretar i Përgjithshëm i INTOSAIT, z.Josef MOSER, Zv/President i EUROSAI-t dhe President i Gjykatës së Llogarive të Turqisë, Prof. As. Dr. Recai AKYEL, etj.

Një falënderim i veçantë për Presidentin e Republikës SH.T.Z. Bujar NISHANI dhe personalitet e shtetit shqiptar që vlerësuan këtë përvjetor dhe na nderuan me pjesëmarrjen e tyre. Së fundmi, me mirënjohje të thellë shpreh konsideratën, respektin dhe vlerësimin maksimal për të gjithë trupën e audituesve dhe stafin mbështetës, të cilët me integritet, korrektesë dhe profesionalizëm kanë kontribuar dhe shërbyer në këtë institucion gjatë gjithë kësaj periudhë 90- vjeçare, duke pasur dëshirën e madhe dhe bindjen se 100-Vjetori i krijimit të KLSH-së do ta gjej këtë institucion mes Institucioneve Supreme të Auditimit (SAI-ve) të vendeve anëtare të BE-së.

Bujar Leskaj

firma