60 vjet INTOSAI, 50 vjet Sekretariati i Përgjithshëm

I nderuar lexues,

intosai 50Organizata e institucioneve supreme të auditimit, INTOSAI është struktura e dytë ndërkombëtare më e madhe, pas Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), me 192 SAI(Institucione Supreme të Auditimit) anëtare dhe 5 SAI të asociuara. Që nga themelimi në vitin 1953, në zbatim të motos së saj “Experientia Mutua Omnibus Prodest” (Nga Eksperienca e përbashkët, përfitojnë të gjithë), INTOSAI ka shkëmbyer dije dhe ka nxitur bashkëpunimin me SAI-ve anëtare, duke iu përmbajtur vlerave themelore të institucioneve të auditimit më të lartë publik, si, pavarësia, integriteti, profesionalizmi, besueshmëria, përfshirja, bashkëpunimi dhe inovacioni.

INTOSAI është ndërtuar dhe funksionon si një organizatë e përhershme profesionale, autonome, e pavarur dhe jopolitike e institucioneve supreme të auditimit dhe i përfaqëson ato në raportet me OKB, me organizatat e tjera ndërkombëtare dhe me donatorët ndërkombëtarë. Ajo ka marrëveshje me 22 institucione donatore dhe përgatit e lançon programe e thirrje për projekte zhvillimi dhe ndërtimi kapacitetesh për të gjitha SAI-t kudo në botë.

E organizuar për të funksionuar si në nivel botëror ashtu dhe rajonal, INTOSAI ka gjashtë struktura rajonale, ndër të cilat nga më kryesoret është EUROSAI, organizata evropiane e institucioneve supreme të auditimit. INTOSAI e bazon aktivitetin e saj të përditshëm tek Sekretariati i Përgjithshëm, me seli në Vjenë, nga viti 1963 dhe i merr vendimet kryesore, nëpërmjet Kongresit të saj, të quajtur INCOSAI, i cili mblidhet çdo tre vjet.

Në këto 61 vite ekzistence, INTOSAI ka organizuar 21 kongrese dhe me qindra forume, simpoziume të përbashkëta me OKB-në, workshope, seminare dhe aktivitete të tjera rajonale e planetare, që lidhen me ndërtimin dhe zhvillimin e kapaciteteve audituese, si dhe ka pasur arritje të shumta përsa i përket pavarësisë, rritjes së kompetencave, efiçiencës dhe qëndrueshmërisë së SAIve.
Që nga viti 1992, organizata ka përgatitur dhe publikuar një gamë të gjerë standardesh, udhëzuesish dhe praktikash më të mira, të quajtura ISSAI, të cilat i kanë ndihmuar dhe i ndihmojnë në praktike SAI-t në të gjithë botën, për të rritur pavarësinë, forcuar identitetin dhe shtuar kapacitetet e tyre profesionale.
Ndër dokumentet themelore të INTOSAI-t janë Deklarata e Limës e vitit 1977, e quajtur ndryshe Magna Carta ose Kushtetuta e institucioneve supreme të auditimit dhe Deklarata e Meksikos e vitit 2007 për forcimin e pavarësisë së SAI-ve.

Që nga viti 2004, INTOSAI ka përgatitur dhe implementuar dy plane strategjike zhvillimi 2005-2010 dhe 2011-2016, duke përcaktuar qëllime strategjike, vlera dhe prioritete, si dhe duke fituar besimin dhe vlerësimin e SAIve, për sa i përket çështjeve të planifikimit strategjik, diversifikimit të strukturës organizative dhe rritjes se kapaciteteve audituese nëpërmjet shkëmbimit të eksperiencave më të mira.
INTOSAI ka rritur njohjen ndërkombëtare nëpërmjet Rezolutës A/ 66/209 të datës 22 dhjetor 2011 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Në këtë rezolutë, Asambleja vlerësoi punën e bërë nga INTOSAI në promovimin më të madh të efikasitetit, përgjegjshmërisë, efektivitetit, transparencës dhe përdorimin e burimeve publike me efikasitet dhe efektivitet për të mirën e qytetarëve, njohu parimet e pavarësisë të përcaktuara në deklaratat e EXPERIENTIA MUTUA OMNIBUS PRODEST
Limës dhe Meksikos, si dhe inkurajoi shtetet anëtare dhe parlamentet e tyre që të zbatojnë parimet e përmbajtura në këto Deklarata, në përputhje me strukturën kombëtare institucionale.

Në fushën e menaxhimit publik, kjo organizatë po tërheq gjithnjë e më tepër vëmendjen e grupeve të shumta të interesit, në radhë të parë të institucioneve ndërkombëtare si OKB, FMN, Banka Botërore, Banka Evropiane për Rindërtim e Zhvillim, etj, duke u kthyer në një organizëm “standard-bërës” shumë i nevojshëm dhe një lojtar shumë i rëndësishëm në përmirësimin e qeverisjes kombëtare dhe rregullave të auditimit ndërkombëtar.
Në zbatim të Planit Strategjik të Zhvillimit 2011-2016, INTOSAI po promovon përmirësime të vazhdueshme mes anëtarëve të saj, duke inkurajuar bashkëpunimin intensiv mes tyre (Objektivi 3), si dhe duke studiuar fusha dhe metodologji të reja auditimi, përmes strukturës së saj shumë të rëndësishme, Institutit të Zhvillimit (IDI).
Me krizën mbarë botërore financiare dhe ekonomike, SAI-t dhe vetë INTOSAI po përballen me kërkesa në rritje të grupeve të interesit dhe me çështje të reja auditimi, që kërkojnë që metodologjitë audituese të ndryshojnë me shpejtësi. Çështje të tilla si zhvillimi i qëndrueshëm i financave publike, qeverisja kombëtare, siguria kombëtare, pjesëmarrja qytetare, evoluimi i politikave, rregulloret e sistemit financiar, si dhe auditimi investigativ janë kthyer në sfidat dhe objektivat më të reja për SAI-t dhe organizatën e tyre.

Përmes përgatitjes së standardeve profesionale, ngritjes së kapaciteteve institucionale dhe shkëmbimit intensiv të njohurive, INTOSAI, krahas garancisë së rritjes së pavarësisë së SAI-ve anëtare, ka ofruar dhe po ofron një kontribut jetik për promovimin e qeverisjes së mirë, rritjen e transparencës dhe llogaridhënies dhe luftimin e korrupsionit, duke kontribuar në shërbime më të mira ndaj qytetarëve dhe forcimin e besimit të publikut në qeverisjen publike.
KLSH është anëtare e INTOSAI-t nga viti 1984 dhe mbas vitit 1992, ka marrë pjesë në të gjitha aktivitetet kryesore të organizatës, duke u kthyer në anëtar aktiv i strukturës së saj rajonale, EUROSAI-t. Ky aktivitet ka ardhur në rritje gjatë tri viteve të fundit, ku KLSH është përfaqësuar në grupet e punës të EUROSAI-t, duke dhënë kontributin e tij modest.

Gjatë periudhës 2012-2014, në përputhje me objektivat themelorë të Strategjisë së Zhvillimit të KLSH 2013-2017, aktiviteti auditues i institucionit ka synuar zbatimin e plotë të standardeve profesionale të INTOSAI-t, si nëpërmjet trajnimeve intensive brenda dhe jashtë vendit, me ekspertë të njohur të huaj e vendas, ashtu dhe me botimin e 30 librave për auditimin suprem, duke përshtatur në shqip përmbledhje të ISSAI-ve kryesore, duke përkthyer dhe përshtatur udhëzues për auditimin e performancës, shënimet praktike të auditimit financiar, standardet ISSAI për auditimin e borxhit publik, standardet ISSAI për auditimin mjedisor, etj.

Krahas këtyre botimeve profesionale, KLSH ka botuar në kolanën e tij librin “EUROSAI”, që prezanton Organizatën Europiane të Institucioneve më të Larta të Auditimit, duke dhënë profile për secilin nga 50 SAI-t evropiane, si dhe librin “Historiku i Kontrollit të Lartë të Shtetit”, ku evidentohen fillesat e Institucionit Suprem të Auditimit në Shqipëri nga viti 1925, si dhe format që ai ka marrë në rrjedha të ndryshme të historisë së shtetit shqiptar, duke vlerësuar të gjithë ata që ndihmuan në formësimin e institucionit si një institucion bazë i shtetit shqiptar.

Dr. Bujar Leskaj