4 vjet Auditim i Jashtëm Publik

cover - klsh 4 vjet final ok_001

Vitet 2012-2015, të karakterizuara nga zbatimi i motos “ Experentia mutua Omnibus Prodest (Eksperienca e përbashkët u shërben të gjithëve)” të Organizatës Botërore të Institucioneve Supreme të Auditimit (SAI-ve) INTOSAI, përfaqësojnë për Kontrollin e Lartë të Shtetit një progres të vrullshëm cilësor. Si një SAI që kërkon të zhvillohet me parametrat e SAI-ve të përparuara europiane, duke patur parasysh thënien e ish-Presidentit të INTOSAI-t, z. Terence Nombembe se “ Dija në auditim është arma që askush nuk do të  guxojë të na e marrë, e cila na pajis me mendim dhe analizë të pavarur”, kemi audituar gjatë këtyre viteve, në përputhje me standardet e INTOSAI-t, duke ndjekur qasjen e re këshillimore të auditimit suprem publik në botë, sikurse e ka përcaktuar Dr. Josef Moser, ish-Sekretar i Përgjithshëm i INTOSAI-t dhe ish-President i Gjykatës Austriake të Auditimit, në fjalën e tij në Simpoziumin e 22-të të Kombeve të Bashkuara dhe të INTOSAI-t, më 5 mars 2013 në Vjenë: “ Auditimi dhe këshillimi nga SAI-t janë dy anë të së njëjtës monedhë. Institucionet supreme të auditimit duhet dhe mund të rrokin mundësitë që qytetarët të angazhohen, duke shfrytëzuar potencialin e tyre të plotë në përpjekjet për përmirësimin e qeverisjes së mirë publike, vetëm nëse ata zhvillojnë një qasje këshillimi në bazë të punës së tyre audituese, e cila ofron rekomandime specifike si për subjektet e audituara, ashtu dhe për menaxherët qeveritarë, rekomandime që mund të zbatohen praktikisht në sferat e tyre përkatëse të veprimit”.  

 

Bazuar në këtë qasje të re dhe përgjegjësi të rritur kombëtare, vizioni i KLSH ka qenë shndërrimi i audituesve të tij në një trupë moderne auditimi, që zbaton standardet ndërkombëtare ISSAI të INTOSAI-t në kushtet dhe specifikat e Shqipërisë, e aftë të përballojë sfidat e kohës për shëndoshjen e plotë dhe qëndrueshmërinë e financave publike, të luftojë në thellësi dhe në sistem korrupsionin, si dhe të bashkëpunojë me efektivitet dhe efiçiencë me partnerët brenda vendit, me institucionet simotra në Europë dhe më gjerë, dhe me partnerët ndërkombëtarë.

Nëpërmjet raportimeve në Kuvend, fjalës, argumentimeve dhe gjetjeve në analizat  vjetore dhe periodike të institucionit, mesazheve të përmbajtura në prezantimet në konferenca shkencore dhe përshëndetjeve në aktivitete të ndryshme promovimi e bashkëpunimi dhe partneritete të realizuara, si dhe nëpërmjet opinioneve dhe intervistave në median e shkruar të vendit, ky botim përbën një dëshmi të faktit se shndërrimi i KLSH-së nuk ndodhi në mënyrë spontane dhe të fragmentuar, por ishte fryt i një plani strategjik të përgatitur që në fillim, i cili synonte reforma të thella në shtatë vitet e një mandati Kushtetues (2012-2018), në dobi të forcimit dhe modernizimit të auditimit suprem publik, si dhe rritjes së përgjegjshmërisë dhe llogaridhënies në administratën tonë publike.  

 

Ndryshimet e thella përfshinë të gjithë aktivitetin auditues, duke u pasqyruar në hartimin dhe miratimin e ligjit të ri integral dhe strategjisë së KLSH-së, misionit, vizionit, objektivave, planeve dhe programeve të auditimit, ndryshimeve strukturore, të ndjekura nga ngritja e strukturave që janë më funksionale përmes Departamenteve dhe Drejtorive, me qëllim përmbushjen e misionit dhe përshtatjen me kushtet e reja.

 

Modernizimi i institucionit me shtimin e nivelit të njohurive dhe zbatimit të ISSAI-ve, duke rritur numrin e trajnimeve dhe të menaxhimit dhe kontrollit mbi nivelin e asimilimit të njohurive, rritja e bashkëpunimit, marrëveshjet me SAI-t Europiane, bashkëpunimi me institucionet shkencore, universitetet, organizimi i konferencave shkencore që shërbejnë për përmirësimin e cilësisë së auditimeve, të gjitha këto sollën

 

rritjen e imazhit dhe të besimit qytetar tek Kontrolli i Lartë i Shtetit.

 

 

 

Filozofia jonë e punës dhe qasja në auditim ishin krejtësisht të reja, të përqendruara në njohjen e thellë të standardeve të pranuara ndërkombëtarisht të INTOSAI-t, në rritjen e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe partneritetit në funksion të shtimit të kapaciteteve audituese dhe në krijimin e sinergjisë për rritjen e përgjegjshmërisë publike dhe thellimin e luftës kundër korrupsionit, nëpërmjet partneritetit me institucionet e tjera të pavarura kushtetuese, me organizatat profesionale brenda vendit dhe me shoqërinë civile.

 

 

 

 

Transparenca dhe komunikimi me qytetarët dhe me të gjithë aktorët e shoqërisë shqiptare e shndërruan KLSH-në, në pak muaj të vitit të parë të ndryshimit, vitit 2012, nga një strukturë gati hermetike që prodhonte vetëm njoftime shtypi për dëme hipotetike, në një organizatë të hapur e bashkëpunuese me mediat dhe publikun.  

 

Raportet kryesore drejtuar Kuvendit, ai i realizimit të Buxhetit Faktik të Shtetit për vitin paraardhës dhe raporti i performancës së KLSH, në rolin e institucionit agjent i Kuvendit për mirëmenaxhimin e parasë publike, njohën thellësinë e argumentit dhe gjetjes audituese, dobinë e plotë të rekomandimit në përmirësim konkret të menaxhimit të fondeve publike, sipas orientimeve të standardeve ISSAI, duke siguruar drejtpërdrejtshmëri dhe lexueshmëri nga anëtarët e Kuvendit.

 

Ndërkohë, ndryshimet në mënyrën e organizimit dhe funksionimit të institucionit kishin nevojë për një kuadër të ri ligjor, i kërkuar dhe nga Progres-Raportet e Bashkimit Europian të viteve 2008-2013. Ky kuadër u plotësua me miratimin nga Kuvendi në nëntor 2014 të ligjit të ri integral të KLSH, i cili u përshëndet nga Delegacioni i BE në Tiranë si një akt në dobi të ndjeshme të procesit të integrimit të vendit. Ligji është tërësisht në përputhje me standardet ndërkombëtare të INTOSAI-t dhe i hap rrugën mbështetjes së BE-së për Buxhetin e Shtetit Shqiptar.

 

Një përmasë tjetër e transformimeve në KLSH gjatë viteve 2012-2015, që ka theksuar dhe garantuar profilin e fituar profesional të institucionit, është organizimi i konferencave shkencore, për thithjen e mendimit të përparuar për çështje të sotme të auditimit publik dhe të financave publike, mendim i ardhur nga institucionet partnere të KLSH në rajon dhe më gjerë në Evropë, nga përfaqësuesit më aktivë e cilësorë të akademikëve dhe profesoratit shqiptar, si dhe nga përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe nga radhët e audituesve të institucionit.  

 

Nga vetëm 12 botime në të gjithë periudhën 1991-2011 për institucionin, kolana e botimeve KLSH 2012-2015 kap shifrën e 51 librave që variojnë nga përmbledhje dhe përshtatje në shqip të standardeve ISSAI, në manuale të auditimeve të përputhshmërisë, financiare, të performancës, të teknologjisë së informacionit, përmbledhje të raporteve të performancës së institucionit dhe të zbatimit të Buxhetit të Konsoliduar të Shtetit, analiza vjetore e deri në botime historike dhe përmbledhje të kumtesave të konferencave shkencore dhe të shkrimeve të audituesve të KLSH-së. Për t’u theksuar janë botimet si Historiku i KLSH-së dhe Kremtimi i 90-Vjetorit të Institucionit.

 

Libri paraqet parathëniet dhe hyrjet e disa prej botimeve më domethënëse të kolanës. Këto botime deri në fund të vitit 2016 po shkojnë në mbi 70 tituj dhe premtojmë se në shtatë vitet 2012-2018 të këtij mandati kushtetues, ato do të arrijnë 100 tituj, duke e dhënë në të gjitha parametrat, si dhe në gjerësinë dhe thellësinë e tij progresin dhe shndërrimin e institucionit në një strukturë europiane tërësisht të përgatitur për integrimin e plotë të enteve tona publike në familjen e madhe të Bashkimit Europian.  

 

Në tërësi, ky libër e projekton KLSH-në përpara lexuesit shqiptar në të gjitha përmasat e transformimeve drejt një organizate model të auditimit suprem, e cila udhëheq nëpërmjet shembullit që jep, në përputhje me orientimin Strategjik të INTOSAI-t dhe EUROSAI-t.  

 

Sot institucioni gëzon partneritetin dhe kontributin e gjithë veprimtarëve të shoqërisë sonë, nga institucionet e tjera të pavarura tek OJF-të, vlerësimin dhe përkrahjen e institucioneve simotra partnere të KLSH-së, një raport frytdhënës dhe të projektuar drejt një të ardhme të sigurt KLSH-Kuvend dhe përmbi të gjitha, besimin e rritur të qytetarëve dhe taksapaguesve shqiptarë në misionin dhe rezultatet e KLSH-së, besim i fituar me punë dhe përkushtim ndaj vlerave, standardeve dhe integritetit të auditimit më ë lartë publik evropian.    

 

Kontrolli i Lartë i Shtetit, kjo strukturë jetike për të ardhmen e miradministrimit të parasë së taksapaguesit shqiptar, është si organizim i natyrës monokratike, sikurse janë shumica e institucioneve supreme europiane të auditimit. Duke qenë i tillë, veprimtaria, rezultatet, mesazhet, gjetjet dhe rekomandimet e tij pasqyrohen kryesisht nëpërmjet dokumenteve të drejtuesit të institucionit. Përmes këtyre dokumenteve, si raporte, analiza, fjalime, përshëndetje, adresime, si dhe editoriale dhe intervista për shtypin shqiptar, institucioni komunikon me veprimtarët kryesorë partnerë të tij, si me Kuvendin, organizatat simotra, shoqatat profesioniste të fushës, organizatat e shoqërisë civile, mediat, por sidomos me qytetarin dhe taksapaguesin e vendit tonë.  

 

Ky botim kërkon të shpalosë përpara lexuesit të thjeshtë dhe atij të interesuar shqiptar, përmes dokumenteve të Kryetarit të KLSH-së, ndryshimin dhe evoluimin e kësaj strukture, në radhë të parë në mendësinë e punës audituese dhe në rritjen e cilësisë së gjetjeve dhe rekomandimeve të saj.

 

Sikurse përgatitëm në këto vite Historikun(Konferenca e Parë Shkencore, botimi  përkatës), Mini-Muzeumin e KLSH, Kremtimin e 90-Vjetorit të Institucionit, do të hulumtojmë në arkivat dhe shtypin e kohës dhe do të përgatisim Dokumentet e Kryetarëve të KLSH për të gjitha periudhat, duke filluar nga viti i themelimit të institucionit, 1925.  

 

Me krenarinë e ligjshme që të jep puna e realizuar, dua të falënderoj në këtë bilanc katërvjeçar që vjen nëpërmjet këtij botimi, të gjithë trupën e audituesve të KLSH dhe të personelit ndihmës, të cilët kanë kontribuar me përkushtim, ndershmëri e profesionalizëm për të sjellë institucionin tonë në këtë fazë zhvillimi me të ardhme të qartë e të garantuar. Të gjitha materialet (duke përjashtuar dokumentin Nr. 1, Projekt-Idenë Për Zhvillimin e KLSH) janë fryt i punës së palodhur të të gjithë audituesve të Institucionit.