3 Vjet Auditim i Jashtëm Publik (2016-2018)

3 vjet auditimKy botim vjen në vijim të botimit “4 vjet Auditimi i Jashtëm Publik” (2012-2015) dhe i referohet aktivitetit të Kontrollit të Lartë të Shtetit për periudhën tre vjeçare 2016-2018. Në të njëjtën linjë me këto dy botime, KLSH ka botuar edhe librin “Dokumente të Këshillit Kontrollues 1925-1939”.

Libri ka shtatë kapituj, në të cilët përfshihen Raportimet e Kryetarit të KLSH-së në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave dhe Kuvendin e Shqipërisë; Artikuj të botuar në shtypin e përditshëm; Shkrime në Revistën Kërkimore-Shkencore “Auditimi Publik”; Diskutime në Analizat Vjetore të KLSH-së; Prezantime dhe kumtesa në Konferenca Shkencore; KLSH – shkollë për audituesit e rinj, shtëpi e dijes dhe partner i shoqatave profesionale të fushës si dhe Partneritetet me Institucionet Supreme të Auditimit

Në periudhën 2012-2018, filozofia e punës dhe qasjes në auditim ishte krejt e re, e përqëndruar në njohjen e thellë të standardeve të pranuara ndërkombëtarisht të organizatës botërore të institucioneve supreme të auditimit, INTOSAI, në rritjen e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe partneritetit në funksion të shtimit të kapaciteteve audituese dhe në krijimin e sinergjisë për rritjen e përgjegjshmërisë publike dhe thellimin e luftës kundër korrupsionit, nëpërmjet partneritetit me institucionet e tjera të pavarura kushtetuese, me organizatat profesionale brenda vendit dhe me shoqërinë civile. Transparenca e institucionit dhe komunikimi me qytetarët dhe të gjithë aktorët e shoqërisë shqiptare është rritur ndjeshëm. Gjatë viteve 2012 - 2018, shtypi i shkruar ka pasqyruar raportet dhe deklaratat për shtyp të KLSH-së me një numër prej 5532 artikuj, njoftime, editoriale dhe komente analitike. Gjatë gjashtë viteve, 2013-2018 audituesit e KLSH-së kanë botuar 642 artikuj (analiza fillon me vitin 2013 pasi më parë nuk konstatohet prezencë e audituesve në media, përjashtuar pak raste në 2012).

Në drejtim të rritjes së transparencës së veprimtarisë së KLSH-së një rol të rëndësishëm kanë luajtur botimet e Kontrolli të Lartë të Shtetit, të cilat krahas regjistrimit besnik të përmbajtjes së auditimeve, të institucionit të gjetjeve dhe rekomandimeve të çdo auditimi kryesor, përçojnë drejtimet strategjike të reformimit të tij, që janë rritja e kontributit për përmirësimin e qeverisjes publike dhe ngritja e kapaciteteve të audituesve të KLSH në nivelin e një audituesi modern evropian. Botimet e KLSH-së në fund të vitit 2018 arritën   në 101 tituj dhe kolona e botimeve të KLSH-së është në krye të 10 risive që janë realizuar nga institucioni gjatë periudhës 2012-2018.

KLSH ka luftuar pa kompromis ndaj abuzimeve dhe mashtrimeve financiare me pronën publike, duke synuar përmirësimin e qeverisjes publike   nëpërmjet thellimit të luftës pa kompromis ndaj zyrtarëve të korruptuar, kryesisht adresimin e kallëzimeve penale me akuzat “Shpërdorim detyre”, “Shkelje e barazisë në tendera”, etj.

  KLSH në 7 vitet e fundit, 2012-2018, ka përcjellë 307 Kallëzime Penale për 959 persona, ose thënë ndryshe ka adresuar çdo javë një Kallëzim Penal, për zyrtarët e nivelit të mesëm dhe të lartë, të konstatuar me shkelje të rënda nga auditimet e KLSH.

Eksperienca e përfituar dhe zhvillimet e projektuara kanë konfirmuar se procesi i modernizimit të institucionit të auditimit të jashtëm publik në Shqipëri përbën një të mirë publike si dhe një vlerë për sistemin e institucioneve publike. Dinamika e zhvillimit të KLSH-së në vitet 2012-2018 përbën faktorin kryesor të suksesit për vitet e ardhshme.

KLSH synon të jetë një model i ri për auditimin publik rajonal, një qendër për studimin e sfidave bashkëkohore të auditimit në fushat ekonomike, sociale dhe politike, bazuar në analizën e “rrënjës” së faktorëve shkak-pasojë si dhe një institucion, që udhëheq nëpërmjet shembullit për të sjellë vlerë dhe krijuar impakt pozitiv në jetën dhe dinjitetin e qytetarëve.

3 Vjet Auditim i Jashtëm Publik (2016-2018)