Gjatë viteve 1997-2000 u hodhën hapa serioze në rrugën për forcimin dhe konsolidimin e KLSH-së. Bazat ligjore dhe institucionale bënë të mundur të përcaktohet qartë roli, autoriteti, objekti dhe marrëdhëniet e KLSH-së me Parlamentin, Qeverinë dhe Institucionet e tjera.
Në përmbushje të parimeve të Deklaratës së Limës dhe të kërkesave që kanë standartet ndërkombëtare të kontrollit të INTOSAIt, legjislacioni për kontrollin e përgjithshëm shtetëror në Shqipëri, përbën një hap tepër serioz për pavarësinë dhe ushtrimin e detyrave nga KLSH-së.
Në përmbajtje plotëson këto kërkesa bazë:
Autoritetin dhe funksionin e KLSH-s, si institucioni më i lartë i kontrollit ekonomik e financiar në Republikën e Shqiperisë, i cili në veprimtarinë e tij i nënshtrohet vetëm Kushtetutës dhe ligjeve.
Mënyrën e zgjedhjes së Kryetarit të KLSH-s, i cili zgjidhet dhe shkarkohet nga Kuvendi, me propozim të Presidentit të Republikës dhe qëndron në detyrë për 7 vjet, me të drejte rizgjedhjeje (neni 162).
Objektin e veprimtarisë kontrolluese, i cili ka në themel veprimtarinë ekonomike të institucioneve shtetërore e të personave të tjerë juridike shtetërore; përdorimin dhe mbrojtjen e fondeve shtetërore nga organet e pushtetit qendror dhe atij vendor; veprimtarinë ekonomike të personave juridike, në të cilët shteti ka më shumë se gjysmën e pjesëve ose të aksioneve, ose kur huatë, kreditë dhe detyrimet e tjera garantohen nga shteti (neni 163).
Mënyrën e raportimit dhe marrëdhëniet me Kuvendin, sipas të cilës Kontrolli i Lartë i Shtetit i paraqet Kuvendit raportin për zbatimin e buxhetit të shtetit dhe mendimin e tij për raportin e Këshillit të Ministrave per shpenzimet e vitit te kaluar financiar, para se ky te miratohet nga Kuvendi. Kuvendit i dërgohen edhe informacione për rezultatet e kontrolleve sa herë që kërkohen nga Kuvendi. Gjithashtu, Kontrolli i Lartë i Shtetit i paraqet Kuvendit raportin vjetor të veprimtarisë së tij (neni 164).
Marrëdhëniet me Qeverinë gjejnë shprehje në të drejtën që i jepet Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili mund të ftohet të marrë pjesë dhe të flasë në mbledhjet e Këshillit të Ministrave, kur shqyrtohen çështje që lidhen me funksionet e tij (neni 165/1).
Mbrojtja ligjore e Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, imuniteti i të cilit barazohet me imunitetin e Kryetarit të Gjykatës së Lartë (neni 165/2).
Ligji nr. 8270, datë 23.12.1997, së bashku me amendimet në Ligjin nr. 8599, datë 01.06.2000 "Për Kontrollin e Lartë të Shtetit".
Në përmbajtje, ky ligj krahas përcaktimeve kushtetuese përmban:
Në krye, Ligji jep postulatin bazë të Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Si institucioni më i lartë i kontrollit ekonomik e financiar në Republikën e Shqiperisë, i cili në ushtrimin e kompetencave të tij i nënshtrohet vetëm Kushtetutës dhe ligjit. Institucioni përcaktohet si një organ i depolitizuar dhe i departizuar (neni 1).
Parimin e ushtrimit të veprimtarisë:
KLSH konform legjislacionit shqiptar dhe standarteve ndërkombëtare të kontrollit ushtron kontroll për administrimin e pronës shteterore dhe zbatimin e buxhetit në subjektet e përcaktuara në ligj (neni 2).
Parimin e pavarësisë financiare:
Projektbuxheti i KLSH-së shqyrtohet nga Komisioni i Ekonomisë dhe Financës të Kuvendit dhe miratohet nga Kuvendi (neni 3).
Zgjidhjen e konflikteve të kompetencave:
Konfliktet e kompetencave midis KLSH-s dhe institucioneve të tjera shtetërore zgjidhen nga Gjykata e Apelit (neni 5).
Objektivat kryesore të punës së institucionit:
Objekt kryesor përcaktohet kontrolli i përdorimit efektiv dhe i dobishëm i fondeve publike, mirëadministrimi financiar dhe zbatimi i ligjshmërisë në fushën ekonomike e financiare (neni 6).
Ripërcaktimin me adekuat të subjekteve mbi të cilat ushtrohet kontrolli:
Në këto subjekte përfshihen: institucionet shtetërore qendrore, njësitë e pushtetit lokal, organizatat politike kryesisht për fondet e deleguara nga buxheti i shtetit dhe kompanitë shtetërore ku shteti ka shumicën e aksioneve ose borxhet janë garantuar prej tij. Këtu jepet gjithashtu e drejta dhe detyra për të ushtruar rolin mbikëqyrës të KLSH-s kundrejt institucioneve të kontroll-revizionit të brendshëm shteteror (neni 7).
Transparencën me publikun:
KLSH duhet të botojë në buletine periodike dhe vjetore, raportet e kontrollit, konkluzionet e një rëndësie të veçantë, rregullat dhe procedurat e kontrollit dhe llogaritë vjetore të buxhetit të vet (neni 8).
Të drejtat gjatë ushtrimit të veprimtarisë:
KLSH mund te japë rekomandime përsa i përket kontrollit të drejtimit dhe kontrollit të brendshëm, mund të bëjë propozime në fushën e përmirësimit të legjislacionit dhe mund të kërkojë ndryshimin ose shfuqizimin e akteve ligjore e nënligjore nga organet që i kanë nxjerrë, nëse këto bien në kundërshtim me ligjet bazë.
KLSH mund të kontraktojë ekspertë të përkohshëm kur i lind nevoja.
KLSH ka të drejtë të kërkojë nga subjektet e kontrolluara dhe autoritetet e larta shtetërore, marrjen e masave disiplinore dhe të zhdëmtimit, në përputhje me ligjet kur konstaton dëme direkte ose indirekte dhe të bëjë padi në gjyq kur e çmon të nevojshme. Autoritetet shtetërore detyrohet të përgjigjen brenda 20-ditëve për zbatimin ose jo të këtyre rekomandimeve.
Autoritetet detyrohen të venë në dispozicion të KLSH-s të gjithë dokumentet që kërkohen, përfshirë edhe ato sekrete të cilat administrohen me rregulla të veçanta (nenet 9,15,16,17).
Mënyra e raportimit:
Në ligj përcaktohen raportet që KLSH duhet të paraqesë në Kuvend:
-
Raportin për zbatimin e buxhetit faktik duke përfshire konkluzionet e kontrollit dhe opinionin e vet.
-
Mendime për raportin e Këshillit të Ministrave për shpenzimet e vitit të kaluar financiar, para se të miratohet në Kuvend.
-
Informacion për rezultatet e kontrollit, sa herë që kërkohet nga Kuvendi.
-
Raportin vjetor të veprimtarisë së tij.
-
Kryetari i KLSH-s ka të drejtë t`i kërkojë Kuvendit që të dëgjohet prej tij për çeshtje që ai i çmon të rëndësishme dhe të ftohet të marrë pjesë në mbledhjet e Këshillit të Ministrave kur shtrohen çështje që lidhen me funksionet e tij (nenet 18, 19).
Organizimi, struktura dhe kompetencat:
Formulohet e drejta e Kryetarit të KLSH-s për organizimin e brendshëm, krijimin e departamenteve, strukturen, emërimin e funksioneve, kompetencat dhe detyrat e hallkave dhe personelit, strukturën e pagës dhe shpërblimin e tij, miratimin e planit vjetor të kontrollit, të standarteve të kontrollit, buletinin, materialet që i kalojnë prokurorisë apo çështjet që do t'i dërgohen gjykatave.
Në ligj përcaktohet se administrimi i shërbimit civil në KLSH; ngritja në detyrë, levizja paralele, vlerësimi, transferimi, lirimi, pezullimi si dhe masat disiplinore për kontrollorët bëhen në përputhje me Ligjin "Për Shërbimin Civil" në Republikën e Shqipërisë (nenet 10-12-20).
Kufizimet në të drejtat e stafit të KLSH-s:
Këto kufizime lidhen me papajtueshmërinë e funksionit kontrollues, me kryerjen e detyrave të tjera me ose pa shpërblim në subjektet publike ose private, përveç rasteve të mësimdhënies, të të drejtës së autorit dhe veprimtarive kulturore.
- mandatin e deputetit;
- të qenurit anëtar i qeverisë ose i ndonjë partie politike (neni 13);
Mandati Kushtetues e Ligjor i Kryetarit:
Mandati kushtetues dhe mbrojtja ligjore e Kryetarit të KLSH-st është shprehur në ligj duke përcaktuar në mënyrë taksative vlefshmërinë e mandatit, rastet kur ky mandat përfundon para kohës së caktuar dhe mënyrën e ndalimit dhe mbrojtjen ligjore për ato raste që vërtetohet kryerja e një krimi. Në këtë rast është Gjykata Kushtetuese që jep konfirmimin për ndalimin ose jo të Kryetarit të KLSH-s (neni 14).